Një debat i tensionuar ka përfshirë Komisionin për Buxhet, ku deputetja Teuta Haxhiu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka ngritur akuza të rënda ndaj koleges së saj nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci. Haxhiu akuzoi Nagavcin për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke pretenduar se ajo ka tejkaluar kompetencat e saj duke u përzierë në çështje që i përkasin nivelit lokal, veprim ky që sipas saj përbën një shkelje të rëndë ligjore.
“Nagavci po më flet për agjendat e opozitës, por ne kemi një agjendë të qartë dhe do ta mbajmë atë deri në fund. E theksoj se ajo është një shkelëse e Kushtetutës. E njoh përvojën e saj, dhe është e qartë se ajo është numri një në këtë aspekt,” ka deklaruar Haxhiu, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje është e papërgatitur.
Haxhiu gjithashtu theksoi mungesën e një kërkese faljeje nga Nagavci për veprimet e pretenduara, duke e konsideruar këtë si një tjetër shkelje të rëndësishme. Në përgjigje të këtyre akuzave, Nagavci ka deklaruar se nuk dëshiron të përfshihet në një debat të drejtpërdrejtë me Haxhiun. Ajo ka njoftuar se për shkak të deklarimeve të ngjashme të mëparshme, ajo do të padisë Haxhiun.
“Do të evidentohet tendenca e saj për shpifje,” ka thënë Nagavci, duke lënë të kuptohet se do të ndërmarrë hapa ligjorë për mbrojtjen e reputacionit të saj.
