Një histori e pazakontë dashurie dhe betejë për drejtësi vjen nga Tiana Krasniqi, një shqiptare e cila u dashurua dhe u martua me James Broadnax, një i dënuar me vdekje në Teksas. Historia e tyre filloi në vitin 2024, kur Tiana, duke përgatitur temën e masterit për të drejtat e njeriut, zgjodhi të hulumtonte sistemin e dënimit me vdekje në Teksas. Për të mbledhur informacione, ajo nisi një korrespondencë me email me James Broadnax, i cili ndodhej në pritje të ekzekutimit.
Fillimisht, komunikimi ishte profesional, por shpejt evoluoi në telefonata të përditshme. Pas tre muajsh, Tiana dhe James kuptuan se mes tyre kishte lindur diçka më shumë se një marrëdhënie akademike. Tiana u josh nga interesi i sinqertë i James-it për jetën e saj, kulturën shqiptare dhe respekti i vazhdueshëm që ai tregonte.
Pas dy vjet e gjashtë muajsh komunikim intensiv, takimi i tyre i parë fizik konfirmoi lidhjen e fortë. Pavarësisht rrethanave të vështira, ata vendosën të martoheshin. Ceremonia u zhvillua brenda burgut, përmes një xhami, në një ditë të mbushur me emocione të përziera – gëzim për martesën dhe trishtim për datën e afërt të ekzekutimit të tij.
Pas një lufte të gjatë ligjore, James Broadnax u ekzekutua. Tiana ishte e pranishme në orët e fundit, duke dëshmuar momente jashtëzakonisht të rënda. Ai i kishte kërkuar asaj të mos dorëzohej dhe të tregonte botës pafajësinë e tij, duke pretenduar se kishte marrë fajin mbi vete për të mbrojtur djalin e tezës së tij, i cili, sipas tij, kishte lënë gjurmë ADN në vendin e krimit.
Tiana Krasniqi ka deklaruar se nuk do të dorëzohet kurrë dhe do të luftojë për të dëshmuar pafajësinë e James Broadnax, duke theksuar se ADN-ja e tij nuk u gjet as në armë, as në trupat e viktimave të grabitjes së vitit 2008. Kjo histori ka sjellë paragjykime të forta nga shoqëria dhe madje nga familja e saj, me të cilën ajo nuk ka kontakt prej më shumë se 15 vitesh.


