Showbiz

Anëtar i LDK-së shpreh pakënaqësi të thellë: Votova kundër Vjosa Osmanit, nuk u përfshiva në listën për deputet

Xhavit Ukaj, një anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar ashpër pasi mësoi se nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, pavarësisht se ishte propozuar unanimisht nga Dega e LDK-së në Prizren, kandidatura e tij nuk u pranua nga strukturat drejtuese aktuale të partisë.

Në një deklaratë publike në rrjetet sociale, Ukaj e cilësoi këtë vendim si të papranueshëm. Ai zbuloi se gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm kishte votuar kundër propozimit që Vjosa Osmani të ishte bartëse e listës zgjedhore. Ukaj sqaroi se vota e tij nuk ishte e nxitur nga inati personal apo kundërshtimi ndaj bashkimit të partisë, por nga besimi se bashkimi duhet të jetë i sinqertë dhe të vlerësojë anëtarët besnikë.

“Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se bashkimi duhet të jetë i vërtetë — një bashkim që respekton dhe vlerëson ata që kanë qëndruar pranë LDK-së në çdo kohë, sidomos në ditët më të vështira”, deklaroi Ukaj. Ai theksoi se bashkimi në LDK duhet të mbështetet në respektimin e kontributit dhe besnikërisë së anëtarëve.

Për këto zgjedhje, Ukaj ka bërë thirrje për mbështetje ndaj atyre që kanë treguar besnikëri ndaj LDK-së. “I ftoj të gjithë anëtarët, aktivistët dhe simpatizantët që të angazhohen fuqishëm për LDK-në dhe të votojnë njerëzit që gjithmonë kanë punuar për LDK-në, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë”, u shpreh ai.

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *