Këngëtarja Albulena Ukaj ka sjellë një moment emocionues për fansat e saj, duke publikuar një fragment nga një këngë e cila kishte mbetur pa u finalizuar, një bashkëpunim me artistin e ndjerë Shpat Kasapi.
Ky projekt muzikor, fatkeqësisht, nuk arriti të përfundohej për shkak të humbjes së parakohshme të Shpat Kasapit, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor të vitit të kaluar.
Albulena ka vendosur të ndajë këtë krijim me publikun si një mënyrë për të nderuar kujtimin e mikun dhe kolegut të saj. Ajo ka shoqëruar videon me një dedikim të ndjerë, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e tij.
“Kjo këngë mbeti përgjysmë, ashtu siç mbeti bosh një pjesë e zemrës sime kur ti ike. E lamë në mes me shpresën se do ta përfundonim bashkë një ditë. Sot po e publikoj për ty, për kujtimin tënd dhe për të gjithë ata që të deshën. Nuk je më këtu për ta dëgjuar, por zëri yt do të jetojë përgjithmonë. Më mungon, mik. U prehsh në paqe”, ka shkruar këngëtarja.
Postimi ka ngjallur menjëherë reagime të shumta dhe komente mbështetëse nga ndjekësit, të cilët kanë vlerësuar gjestin e Albulenës për të mos lënë pa u dëgjuar zërin e artistit të paharrueshëm, duke kujtuar me mall kontributin e tij në muzikën shqiptare.


