Në prag të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, aktori i njohur i humorit, Adnan Blaku, ka zgjedhur një mënyrë unike dhe plot satirë për të komentuar premtimet elektorale të politikanëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blaku njoftoi ‘hapjen e fushatës’ së tij për deputet, duke u shfaqur i maskuar si klloun. Në imazhin e shpërndarë në Instagram, aktori thumbon drejtpërdrejt premtimet boshe që, sipas tij, jepen gjatë fushatave politike.
“Sot zyrtarisht e hapi fushaten time per deputet ne Kuvend!”, shkroi ai me ironi. Për të theksuar satirën, Blaku renditi disa ‘premtime’ absurde:
- “Premtoj premtime.”
- “Premtoj vende pune për ata që punojnë.”
- “Premtoj rritje pagash pa e dit ku i marr paratë.”
- “Premtoj rrugë deri në Han të Elezit me dalje në Detin Adriatik.”
- “Premtoj gjithçka që doni me ni.”
Në fund të mesazhit, ai shtoi me humor se nëse nuk i realizon këto, “premtoj se zgjedhjet tjera do të premtoj edhe ma shumë!”. Postimi mbyllet me moton: “Vota juaj, zhgënjimi juaj.”
