Sipas Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, vizita ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, mbështetjen e integrimit evropian dhe promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Cassis pritet të zhvillojë takime me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Në mesin e çështjeve që pritet të diskutohen është marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e arritur në kuadër të Asociacionit Evropian të Tregtisë së Lirë (EFTA), e cila tashmë ka hyrë në fuqi.
Po ashtu, në agjendë pritet të jetë edhe mbështetja e Zvicrës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë vizitës, ministri zviceran do të takohet edhe me përfaqësues të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ku Zvicra kontribuon që nga viti 1999 përmes kontingjentit të saj SWISSCOY.
Cassis, i cili aktualisht kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), do të vizitojë edhe misionet e kësaj organizate në Kosovë, për t’u njohur nga afër me punën dhe sfidat e tyre në terren.
Autoritetet zvicerane kanë vlerësuar se kjo vizitë riafirmon lidhjet e ngushta ndërmjet Zvicrës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë forcuar ndër vite edhe falë diasporës së madhe nga ky rajon që jeton në Zvicër.
Në takimet e parapara pritet të theksohet gjithashtu rëndësia e dialogut, trajtimit të së kaluarës, si dhe garantimit të të drejtave dhe mbrojtjes së të gjitha komuniteteve në rajon.
Trump pas humbjes së republikanëve: Po të isha…
27.6 milionë euro për rrymën vetëm brenda shtatorit,…
Pesë kadetë të Kosovës diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë
Vulin mbërrin në Moskë pas incidentit me aeroplanin…
