Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi njoftoi dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës, pasi ishte informuar për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij. Po atë ditë, ai dhe Kadri Veseli u arrestuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe u transferuan në Hagë. Ndërsa Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë një ditë më parë, më 4 nëntor.
Aktakuza ndaj katër ish-krerëve ishte konfirmuar më 26 tetor 2020. Të gjithë, në paraqitjet e tyre të para para gjykatës, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndonin mbi ta.
Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjetësh nga arrestimet. Prokuroria kishte ngritur dhjetë pika të aktakuzës, katër për krime lufte dhe gjashtë për krime kundër njerëzimit. Akuzat përfshinin ngjarje të periudhës nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë.
Gjatë gjykimit, trupi gjykues mori dëshmi nga 273 dëshmitarë dhe administroi 5 mijë e 467 materiale provuese. Në proces morën pjesë edhe 156 viktima. Prokuroria e përfundoi paraqitjen e provave në prill të vitit 2025, ndërsa më pas para gjykatës u paraqitën edhe Mbrojtësi i Viktimave dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026.
Më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale shpalli aktgjykimin e shkallës së parë, duke i dënuar katër ish-krerët për katër vepra penale të krimeve të luftës: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Koha e kaluar në paraburgim iu llogarit secilit në dënimin e shqiptuar.
Sipas përmbledhjes së aktgjykimit, gjykata konstatoi përgjegjësi penale për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.
Në arsyetimin e saj, trupi gjykues vlerësoi se të katër të akuzuarit kishin dhënë kontribut në një qëllim të përbashkët kriminal, që, sipas gjykatës, kishte në shënjestër persona të konsideruar kundërshtarë të synimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së. Në mesin e tyre, sipas aktgjykimit, kishte shqiptarë të Kosovës të lidhur me struktura të tjera politike e ushtarake, persona të dyshuar për lidhje me autoritetet jugosllave ose serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rom dhe serb.
Megjithatë, katër ish-krerët u shpallën të pafajshëm për gjashtë pikat e krimeve kundër njerëzimit. Gjykata vlerësoi se Prokuroria nuk kishte arritur të dëshmonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullsisë civile. Ata u shpallën të pafajshëm edhe për disa incidente të veçanta të përfshira në aktakuzë.
Tashmë, një nga datat më të rëndësishme për vazhdimin e këtij procesi është 27 nëntori. Paneli i Apelit, më 29 shtator, kishte miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për më shumë kohë dhe kishte caktuar këtë datë si afat për dorëzimin e njoftimeve të apelimit. I njëjti afat vlen edhe për Prokurorinë e Specializuar.
Përmes këtyre njoftimeve, palët duhet të tregojnë se cilat pjesë të aktgjykimit synojnë t’i kundërshtojnë dhe çfarë ndryshimesh kërkojnë nga gjykata e shkallës së dytë. Argumentet e hollësishme do të paraqiten më pas në parashtresat e apelit.
Mbrojtja mund të kundërshtojë gjetjet e gjykatës për përgjegjësinë penale të secilit të akuzuar, vlerësimin e provave për incidente të caktuara apo edhe lartësinë e dënimeve. Ndërkaq, Prokuroria mund të kërkojë rishqyrtimin e pjesëve të aktgjykimit ku të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, si dhe të masave të dënimit.
Paneli i Apelit, i përbërë nga Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen, do të shqyrtojë çështjet që do të ngrihen nga palët. Në përfundim, gjykata mund ta konfirmojë, ndryshojë ose rrëzojë aktgjykimin, ndërsa në rrethana të caktuara mund të urdhërojë edhe rigjykim.
Ndërkohë, Hashim Thaçi pritet të përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor. Më 17 nëntor është planifikuar shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e veçantë që lidhet me administrimin e drejtësisë, ku ai është i akuzuar së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.
Kështu, muaji nëntor sjell dy data të rëndësishme për proceset gjyqësore në Hagë: 17 nëntorin për shpalljen e vendimit në çështjen e administrimit të drejtësisë dhe 27 nëntorin, kur përfundon afati për njoftimet e apelimit të aktgjykimit për krime lufte.
Aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për fajde…
Gjendet 13 vjeçari i zhdukur në Ferizaj, dërgohet në strehimore
“Kjo është katastrofë”, republikanët fajësojnë Trumpin për humbjen…
KOSTT reagon për nënstacionin mobil: S’ka dëm financiar,…
