Rasti, i cili u bë publik më 1 nëntor 2026, hap një sërë dilemash për mënyrën se si ishte vlerësuar gjendja familjare dhe siguria e foshnjës, veçanërisht duke pasur parasysh historikun e dhunës dhe trajtimit psikiatrik të 27-vjeçarit.
Sipas informacioneve që KALLXO.com ka siguruar nga burimet, foshnja që nga lindja nuk ishte nën përkujdesjen e nënës, por kishte qëndruar në shtëpinë e babait të saj. Ky i fundit më herët ishte përballur me procedura gjyqësore për kanosje ndaj të fejuarës së tij, e cila ishte nëna e foshnjës.
Dokumentet e Gjykatës së Gjilanit tregojnë se Adonis Demiri ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Kamenicë për veprën penale të kanosjes.
Më 11 prill 2026, gjyqtari i çështjes kishte nxjerrë aktvendim për shqiptimin e urdhrit mbrojtës emergjent ndaj tij, me kohëzgjatje prej 12 muajsh.
Ndërsa, më 17 qershor 2026, Gjykata kishte nxjerrë aktgjykim me të cilin Demirin e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim. Megjithatë, me pëlqimin e tij, dënimi ishte zëvendësuar me gjobë prej 1 mijë e 800 eurosh, të cilën ai duhej ta paguante brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Në përgjigjen e dhënë për KALLXO.com, Gjykata ka bërë të ditur se 27-vjeçari kishte qëndruar për dy muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë pasi dyshohej se kishte përdorur substanca narkotike të llojit kokainë
Përveç dënimit për kanosje, ndaj tij ishte shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, në bazë të dispozitave ligjore që rregullojnë procedurat penale ndaj kryerësve me çrregullime mendore.
Këto të dhëna e bëjnë edhe më të rëndësishme pyetjen se çfarë vlerësimi ishte bërë për sigurinë dhe mirëqenien e foshnjës në një situatë ku babai kishte një histori të dokumentuar gjyqësore, ndërsa nëna, sipas informacioneve të siguruara nga KALLXO.com, nuk ishte kujdesur për të që nga lindja.
Në këtë rast, vëmendja bie edhe te roli i institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve, veçanërisht te Qendra për Punë Sociale (QPS) në Gjilan, e cila ka përgjegjësi në trajtimin e rasteve që lidhen me mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.
KALLXO.com ka tentuar të marrë informacione nga QPS-ja në Gjilan lidhur me rastin, përfshirë nëse kjo Qendër kishte qenë në dijeni për rrethanat familjare, nëse ishte vlerësuar gjendja e foshnjës dhe nëse ishin ndërmarrë masa për mbrojtjen e saj. Megjithatë, QPS-ja ka qenë e paqasshme për redaksinë.
Ndërkohë, duke folur në emisionin “Debat Plus”, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi, tha se Adonis Demiri kishte paraqitur kërkesë me shkrim për ta marrë fëmijën në kujdes prindëror dhe se gjatë paraqitjes në QPS së bashku me dy prindërit dhe motrën e tij nuk ishte vërejtur ndonjë shqetësim apo çrregullim psikik.
“Adonisi kur është paraqitur, me dy prindërit dhe motrën e vet, ka qenë në gjendje normale dhe nuk është vërejtur dhe nuk kemi pasur as edhe një shënim që ka pasur shqetësime apo çrregullime psikike” – deklaroi Zymberi.
Ai theksoi se procedura për prindin biologjik ndryshon nga ajo e adoptimit apo kujdestarisë, duke shtuar se Qendra për Punë Sociale nuk ka një databazë që do t’i mundësonte të identifikonte nëse një person është i përfshirë në vepra penale.
“Kur kemi të bëjmë me prindin biologjik, është një procedurë tjetër me adoptimin apo kujdestarinë. Adonisi ka qenë prind që ka kërkuar kujdesin prindëror. Dhe ne si Qendër nuk kemi një databazë e cila na tregon se një person mund të jetë i përfshirë në krime të çfarëdo natyre” – tha ai në “Debat Plus”.
Për këtë çështje është pyetur edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nga i cili është kërkuar sqarim për reagimin e institucioneve komunale dhe rolin e QPS-së në rast.
“Prisni të merret vesh çka ka ndodhur. Raporti i QPS-së sot ka shkuar nga QPS në Polici, nuk mundet QPS-ja me të jep informacione për një rast në zhvillim.” – ka deklaruar Hyseni për KALLXO.com.
Ndërkohë, Gjykata e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e një muaji paraburgim ndaj B.D., babait të 27-vjeçarit, i cili dyshohet për veprat penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.
“E njëjta dështake, i njëjti dështak”, Mushkolaj kritikon…
Anjeza, Zoja apo Dioni, mbyllet televotimi për nominimin e përhershëm
Haxhiu: Byroja do verifikojë pasurinë e zyrtarëve edhe…
Haxhiu për rastin e Arlinda Zekajt: Të hetohet…
