Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka konfirmuar sot qëndrimin e patundur të partisë së tij ndaj Ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas tij, vendimi i LDK-së për të mos votuar këtë ligj reflekton qartë pozicionin e saj politik dhe nuk është rezultat i ndryshimeve momentale apo kalkulimeve politike.
Haziri theksoi se LDK-ja ka qenë gjithmonë transparente në qëndrimet e saj lidhur me drejtësinë në Kosovë. “Nuk ka vend për pishman, as për kalkulime politike. Kjo është një qëndrim konsistent që ne e kemi bërë të ditur. Pas gjithë asaj që ka ndodhur në periudhën pasluftës, është e domosdoshme që drejtësia të vendoset për të gjithë,” deklaroi ai.
Duke komentuar punën e Dhomave të Specializuara, Haziri shprehu bindjen se ky institucion nuk ka arritur të përmbushë pritjet për një sistem të drejtësisë të drejtë dhe të barabartë. Ai shtoi se çështjet e trajtuara nga ky tribunal kanë kaluar më parë nëpër procese të ndryshme pa sjellë ndryshime thelbësore. “LDK-ja beson në drejtësi për të gjithë dhe nuk pranojmë që drejtësia të arrihet përmes padrejtësisë. Kjo është perceptimi i shumicës së qytetarëve në Kosovë,” tha ai.
Nënkryetari i LDK-së gjithashtu analizoi përmbajtjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vënë në dukje se vendimi duket se ka adresuar luftën ndaj vijës politike të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), si dhe ka përmendur LDK-në në kontekstin e institucionalizimit të vendit. “Në pjesën e parë të aktvendimit, fatkeqësisht, u nxor në pah lufta ndaj LPK-së, e më pas u përmend edhe LDK-ja si sinonim i institucionalizimit,” tha Haziri.
Ai përfundoi duke argumentuar se ky proces gjyqësor nuk ka sjellë një lëvizje të gjerë politike në Kosovë, por përkundrazi, ka nxitur protesta me moton “Jo në emrin tonë”. “Kjo është ajo që e justifikon aktgjykimin e Dhomave të Specializuara. Nuk duhet t’i jepet ndonjë atribut tjetër, përveçse se ky ballafaqim me drejtësinë është bërë në emër të popullit të Kosovës,” tha Haziri.
Në fund, Haziri njoftoi se ka shprehur personalisht mbështetjen e tij duke iu bashkuar protestave të organizuara pas publikimit të aktgjykimit.
