Ngjarjet e fundit në Tiranë, ku protesta e studentëve u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë, kanë nxitur reagimin e këngëtarit Luiz Ejlli. Ai ka zgjedhur të mos heshtë, duke dërguar një mesazh të fuqishëm mbi trajtimin e qytetarëve nga institucionet shtetërore, sidomos në situata delikate.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Ejlli ka theksuar se si matet një shtet nga mënyra se si i trajton qytetarët, veçanërisht kur ata shprehin mospajtime. “Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur”, ka shkruar ai, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të të drejtave qytetare.
Këngëtari ka sjellë në vëmendje edhe dhimbjen e atyre që largohen nga vendi në kërkim të një ardhmërie më të mirë, duke shtuar: “Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë”. Ky koment thekson se sfidat e të rinjve janë më komplekse nga sa duken në sipërfaqe.
Protesta e zhvilluar më 13 tetor, e cila synonte të trajtonte kushtet në universitete dhe perspektivën e të rinjve, u shoqërua me incidente dhe ndërhyrje policore, duke rezultuar në persona të dëmtuar. Pas publikimit të pamjeve të një protestuesi të ri të plagosur, Policia e Shtetit ka njoftuar pezullimin e pesë zyrtarëve dhe fillimin e hetimeve.
Në fund të reagimit të tij, Luiz Ejlli ka përcjellë një mesazh solidariteti dhe lutjeje për ata që janë prekur nga këto ngjarje. “Lutem Zotit që t’i japi forcë atyre që sot po qajnë, t’i shërohen plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër”, ka përfunduar ai, duke lënë një apel për kujtesë dhe solidaritet.
