Një platformë e re vizuale po hedh dritë mbi lidhje historike të cilat duken pothuajse të pamundura në shikim të parë, duke na treguar se si figura dhe ngjarje që i mendojmë si të ndara nga kohërat, në fakt kanë qenë bashkëkohëse.
Dizajneri Stefan Trkulja ka krijuar një vijë kohore interaktive që lejon përdoruesit të eksplorojnë personazhe historikë, ngjarje dhe epoka, duke i krahasuar periudhat dhe duke zbuluar sa vite kanë përkuar. Një nga shembujt më befasues është bashkëjetesa e shkurtër kohore mes ikonës së filmit pa zë, Charlie Chaplin, dhe reperit modern 50 Cent.
Charlie Chaplin, lindur në vitin 1889 dhe aktiv në kinematografinë pa zë që nga viti 1914, jetoi deri në vitin 1977. Ndërkohë, 50 Cent, emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson III, lindi në vitin 1975. Kjo do të thotë se dy figura kaq të ndryshme të kulturës pop kanë ndarë më shumë se dy vite të jetës së tyre.
Një lidhje tjetër interesante nxjerr në pah periudhën kur reperi Eminem dhe artisti i famshëm Pablo Picasso ishin bashkëkohës. Eminem, i lindur në vitin 1972, ndërsa Picasso, një nga figurat kryesore të artit të shekullit XX, lindi në 1881 dhe vdiq në 1973. Picasso ishte gjallë kur u krye telefonata e parë nga një celular në vitin 1973, vetëm pak ditë para vdekjes së tij.
Historia e Helen Viola Jackson, e veja e fundit e një veterani të Luftës Civile Amerikane, tregon një tjetër perspektivë. Ajo lindi në 1919, u martua me veteranin 93-vjeçar James Bolin kur ishte 17 vjeçe. Bolin vdiq në 1939, ndërsa Helen jetoi deri në vitin 2020, duke arritur moshën 101-vjeçare dhe duke dëgjuar artistë si Taylor Swift dhe Dua Lipa.
Fakte të tjera tërheqëse përfshijnë faktin se Universiteti i Oxford-it, i themeluar në 1096, është më i vjetër se Perandoria Azteke (e themeluar në 1325). Gjithashtu, periudha kohore mes Kleopatrës dhe ndërtimit të Piramidës së Madhe të Gizës është më e gjatë se ajo mes Kleopatrës dhe uljes së njeriut në Hënë.
Edhe ekzekutimi i fundit me gijotinë, i Hamida Djandoubi në vitin 1977, ndodhi pas shfaqjes së parë të filmit “Star Wars”. Këto shembuj tregojnë se si ndarja tradicionale e historisë në epoka mund të krijojë një perceptim të shtremëruar, pasi shumë zhvillime dhe figura që i konsiderojmë të ndara, në fakt kanë jetuar paralelisht.
