Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje të fuqishme për publikimin e plotë dhe të paedituar të aktgjykimit që rezultoi në dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Çitaku theksoi se është e papranueshme që çlirimtarët e një populli të dënohen, ndërsa aktgjykimi që solli këtë vendim historik të mbetet i mbyllur për publikun.
Ajo shtoi se qytetarët kanë të drejtë të dinë mbi çfarë ‘faktesh’ dhe ‘dëshmish’ është ndërtuar një vendim kaq i rëndësishëm për katër burra që, sipas saj, ishin më afër vdekjes se sa jetës kur veshën uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Populli duhet të dijë se mbi çfarë ‘faktesh’ dhe ‘dëshmish’ është ndërtuar ky vendim ndaj katër burrave që rastësisht janë gjallë, sepse ata, kur e kanë veshur uniformën me tri shkronjat e arta, kanë qenë më afër vdekjes se sa jetës,” shkroi Çitaku në reagimin e saj. Ajo përfundoi duke insistuar: “Prandaj, publikojeni të plotë. Pa redaktime. Pikë e presje.”

