Pas shpalljes së aktgjykimit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, figura të njohura nga bota e spektaklit kanë reaguar me forcë në platformat sociale.
Këngëtari Luiz Ejlli, në një mesazh të tij në “Instastory”, theksoi se vendimi i gjykatës është vetëm një hap në një proces më të gjerë. Ai shprehu besimin se historia është ajo që do të flasë përfundimisht, duke theksuar se asnjë vendim gjykate nuk mund ta vlerësojë atë që ka ndodhur në të kaluarën.
Mesazhi i plotë i Luiz Ejllit:
Sot vendosi gjykata, nesër do të vendosë apeli. Por mbi të dyja qëndron diçka që asnjë sallë gjyqi nuk mund ta vlerësojë: HISTORIA!
Një aktgjykim mund të hidhet në letër, por historia shkruhet me gjak, me flijim dhe me kujtesën kolektive të një kombi. Respekt për sistemin e drejtësisë dhe vendimet e institucioneve, por gjithashtu besimi se rrugëtimi ligjor nuk përfundon këtu. Shpresa qëndron tek Apeli. Kosova nuk përkufizohet nga një vendim i vetëm, UÇK-ja nuk është thjesht një dosje dhe rrëfimi i një populli nuk vuloset në një seancë të vetme gjyqësore.
Le të flasë drejtësia, le të flasë apeli, por në fund të fundit, le të flasë koha. Një gjykatë shpall një vendim, apeli ofron një shans të dytë, por fjalën përfundimtare e thotë vetëm historia. Le të flasë ligji, le të flasë e vërteta, le të flasë historia.
Gjykatat ndëshkojnë individët, historia gjykon periudhat dhe koha gjykon të vërtetën. Sepse disa emra mund të dënohen nga një trup gjykues, por asnjë gjykatë nuk mund të dënojë një popull dhe ta detyrojë të harrojë atë që ka përjetuar.
Reagimet e artistëve kanë qenë të shumta, mes të cilave spikat ai i këngëtares së njohur, Elvana Gjata. Ajo e cilësoi këtë akt si padrejtësinë më të rëndë që i është bërë një populli që luftoi për ekzistencën e tij. Artistja shprehu dhimbjen e saj për jetët e flijuara dhe për familjet që humbën gjithçka.
Reagimi i plotë i Elvana Gjatës:
“Kjo është pa-Drejtësia më e rëndë që i është shkaktuar një populli që u ngrit për të mbijetuar! Për të drejtën për të sjellë në jetë dhe rritur fëmijët në tokën e tyre, në gjuhën e tyre, me traditat dhe kulturën e tyre! TURP!
Sot dhimbja ime është për Kosovën. Më dhemb për ata që sakrifikuan jetën, për nënat që varrosën fëmijët, për familjet që humbën gjithçka dhe për një komb të tërë që u ngrit në luftë jo për t’i zënë tokën tjetërkujt, por për të mos u dëbuar nga e vetja.
Liria e Kosovës nuk ishte një dhuratë. Ajo u ble me një çmim të lartë. Me jetë njerëzish. Me gjak. Me një dhimbje që ende vazhdon të jetojë në mijëra familje. Historia e një kombi nuk mund të rishkruhet duke injoruar arsyet pse ai u detyrua të luftonte. UÇK-ja u lind nga nevoja për liri dhe për të mbijetuar. Kosova është e lirë. Dhe këtë realitet askush nuk mund ta ndëshkojë”.
Reagimi i Ylli Limanit:
Nuk e di si e përballon toka këtë padrejtësi! Si nuk shembet nga pikëllimi, kur çlirimtarët marrin dënime më të ashpra se pushtuesit. Të dhemb heshtja e botës. Të dhemb pabarazia. Sot përpiqen të na bindin se lufta për liri dhe pushtimi kanë të njëjtën vlerë. Se ata që mbrojtën shtëpitë e tyre janë të barabartë me ata që erdhën me tanke, dogjën banesa, vranë dhe dënuan një popull nga toka e tij. Historia jonë nuk ndryshon me një aktgjykim. Lufta jonë nuk barazohet me krimet e Serbisë. Sot zemra e Kosovës rreh në Hagë. JO NË EMRI IM!
Reagimi i DJ Gimbos: Vendimi më i padrejtë në historinë e kombit shqiptar. Turp për gjykatën speciale.
Reagimi i Xhensila Myrtezajt:
Ky ndëshkim është turpi më i madh që mund të ndodhte ndonjëherë. Liri për çlirimtarët.
Reagimi i Capital T:
Jo në emrin tim. Jo në emër të popullit të Kosovës.

