Marten De Roon, mesfushori dhe kapiteni i Atalantës, ka ndarë një mesazh të thellë dhe emocionues për shokun e tij të skuadrës, Berat Gjimshitin, i cili po e lë klubin për të nisur një kapitull të ri te Al Diriyah.
De Roon, duke reflektuar mbi dhjetë vite bashkëpunim dhe miqësi, shprehu vështirësinë për të gjetur fjalët e duhura për të përshkruar udhëtimin e tyre të përbashkët. “Miku im, si mund të gjej fjalët e duhura për të përshkruar gjithçka që kemi përjetuar së bashku gjatë dhjetë viteve të fundit?” shkroi ai.
Ai kujtoi sfidat dhe triumfet që nga fillimi me trajnerin Reja, duke theksuar se së bashku ata kanë ngritur Atalantën në nivelin evropian. “Zhgënjimet dhe fitoret e jashtëzakonshme, historia që kemi shkruar, e kemi çuar Atalantën në të gjithë Europën,” shtoi De Roon. “Ne kemi përballur klubet më të mëdha dhe lojtarët më të fortë në botë, duke arritur në Champions League, ‘Europa League’ dhe finale të Kupës së Italisë. Praktikisht çdo gjë që një futbollist mund të dëshirojë, e kemi përjetuar së bashku.”
Një moment veçanërisht prekës për De Roon ishte gjesti i Gjimshitit pas fitores historike në Europa League. “Në një moment kur mund të tërhiqje gjithë vëmendjen dhe të shijoje lavdinë tënde, ti mendove për Rafa dhe mua, dy njerëz me të cilët kishe ndarë kaq shumë, por që po kalonim një periudhë të vështirë. Ai gjest të përshkruan më mirë se çdo fjalë. Më preku thellë,” tha ai.
Duke e konsideruar Gjimshitin si “një legjendë të këtij klubi”, De Roon theksoi se marrëdhënia e tyre shkon përtej miqësisë sportive. “Jam i sigurt se rrugët tona do të kryqëzohen sërish. Faleminderit për gjithçka!” përfundoi ai, duke lënë një mesazh të paharrueshëm për mbrojtësin shqiptar.

