Gazetarët e njohur të ekranit dhe radios, Hana Selimi dhe Agan Hajdarhoxha, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë, duke nisur kështu një kapitull të ri si bashkëshortë.
Dyshja, e cila për vite me radhë ndau studion dhe punoi krah për krah si kolegë në emisionin e përditshëm radio-televiziv “Hallakama” në Klan Kosova, tani ka zyrtarizuar lidhjen e tyre.
Lajmin e gëzueshëm e ka ndarë vetë Hana Selimi përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale. Në dedikimin e saj romantik, gazetarja ka rrëfyer rrugëtimin e tyre të gjatë, duke theksuar se si jeta ka mënyra unike për të bashkuar njerëzit.
“Ti ke hy në jetën teme si shok, je ba dashnia jem e sot je burri jem,” ka shkruar Hana, duke kujtuar se si raporti i tyre nisi fillimisht në bazat e një shoqërie të mirë pune, për t’u rritur më pas në dashurinë e jetës.
Ajo ka shprehur mirënjohje të thellë për këtë lidhje, duke u shprehur se tek Agani ka gjetur jo vetëm partnerin e zemrës, por edhe stabilitetin emocional dhe mikun më të mirë.
“Çdo ditë e falënderoj Zotin që rrugët tona u kryqëzuan, sepse te ti gjeta jo veç njeriun që e du, por edhe paqen, sigurinë dhe shokun ma të mirë të jetës teme,” ka cituar ajo më tej në postimin e saj.
Ky rrugëtim nga kolegë të ngushtë në “Hallakama” në partnerë jete, u mbyll me një deklaratë të fortë dashurie nga ana e gazetares: “E nëse do ta nisja jetën prej fillimit, prapë ty do të zgjidhja.”
Urimet e shumta nga miqtë, kolegët dhe ndjekësit nuk kanë munguar për çiftin më të ri të medias.


