Profesori Blerim Latifi ka ngritur shqetësimin lidhur me dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale, duke theksuar rolin dhe rëndësinë e saj historike. Sipas profesorit, UÇK përfaqëson një histori suksesi unike për shqiptarët, pasi arriti t’i ulë përfaqësuesit e tyre në tryezat ku vendosen fatet e popujve nga fuqitë e mëdha botërore.
“Kjo histori suksesi po dështojmë ta mbrojmë si legjitimitet historik dhe si trashëgimi për brezat që do të vijnë pas nesh,” ka shkruar Latifi në një postim të tij, duke nënvizuar nevojën urgjente për ruajtjen e kësaj trashëgimie kombëtare.
Në analizën e tij, ai thekson se të gjitha kryengritjet shqiptare në Kosovë kanë përfunduar me dështim, me përjashtim të asaj të UÇK-së. Ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, UÇK-ja ishte e vetmja që arriti të sillte shqiptarët në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, aty ku merren vendime me ndikim global.
“UÇK-ja është e vetmja histori suksesi që kemi, dhe ky fakt duhet të njihet dhe mbrohet. Është e domosdoshme që ta ruajmë këtë histori suksesi si një legjitimitet historik dhe si një trashëgimi të çmuar për brezat e ardhshëm,” përfundon Latifi, duke bërë thirrje për reflektim mbi rëndësinë e ruajtjes së kësaj narrative historike.
