Një humbje e papërshkrueshme ka goditur një familje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku djali i tyre vetëm 2-vjeçar, Malachi LeBlanc, humbi jetën pas një incidenti të rëndë në një pishinë komunitare.
Ngjarja e trishtë ndodhi më 5 gusht, kur Malachi u gjet pa ndjenja në ujë. Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ta mbajtur në jetë dhe dërgimit në spital në gjendje kritike, mjekët, pas disa ditësh, konstatuan vdekjen e trurit. Malachi ndërroi jetë më 9 gusht, duke lënë pas një dhimbje të thellë.
Prindërit, Grace dhe Myron LeBlanc, deklaruan se në momentin e incidentit, djali i tyre ishte nën mbikëqyrjen e një personi të cilin familja e kishte në besim. Megjithëse të shkatërruar nga dhimbja, ata morën një vendim heroik që ka prekur mijëra njerëz.
Në një gjest altruizmi të rrallë, prindërit vendosën të dhurojnë organet e djalit të tyre për t’u dhënë jetë të re fëmijëve të tjerë që prisnin transplant. Kështu, tragjedia e tyre personale u kthye në një dritë shprese për familje të tjera, duke shpëtuar jetë të tjera.


