Një incident i rëndë ka ndodhur në Dällikon të Cyrihut, ku një 24-vjeçar me origjinë nga Kosova është plagosur seriozisht pas një konflikti fizik në një hotel. Ngjarja, që ka shkaktuar shqetësim te autoritetet lokale, ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar, dy shtetas suedezë dhe një slloven.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja e dhunshme ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje. Policia është njoftuar rreth orës 18:00 nga një kalimtar, i cili ka raportuar për një person me lëndime të dukshme në Regensdorferstrasse. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekipet e emergjencës, të cilat i kanë ofruar ndihmën e parë 24-vjeçarit, i cili më pas është dërguar me urgjencë në spital. Ai ka pësuar lëndime në krah dhe në pjesën e sipërme të trupit.
Hetimet fillestare sugjerojnë se plagët e të riut kosovar janë shkaktuar gjatë një zënke brenda një dhome hoteli. Një reagim i shpejtë nga Policia Kantonale e Cyrihut, e cila ka angazhuar një numër të konsiderueshëm efektivësh, duke përfshirë mbështetjen nga policia lokale dhe ajo e Winterthurit, ka bërë të mundur arrestimin e tre personave të moshës 20 deri në 33 vjeç.
Njëri nga të dyshuarit është arrestuar nga Policia e Schaffhausen, ndërsa dy të tjerët nga Policia e Cyrihut. Autoritetet kanë mbledhur prova nga Instituti Mjeko-Ligjor i Cyrihut, të cilat pritet të ndihmojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet intensive nga Policia dhe Prokuroria e Kantonit të Cyrihut po vazhdojnë për të zbardhur motivet dhe kronologjinë e këtij krimi të rëndë.
