Këngëtarja Soni Malaj ka rikthyer vëmendjen ndaj ish-partnerit të saj, Flori Mumajesit, duke lënë të kuptohet se lidhja e tyre emocionuese nuk ka marrë fund përfundimisht. Gjatë një bisede të zhvilluar në ambientet e “Ferma VIP 3” me moderatoren Sara Hoxha, Malaj foli hapur për marrëdhënien e saj me Mumajesin, duke e cilësuar si “një gjë të papërmbyllur emocionalisht”.
Në përgjigje të pyetjes së Sarës nëse ata kurrë nuk kanë provuar të rikthehen bashkë, Soni u shpreh prerë: “Sepse unë u martova.” Megjithatë, biseda vijoi me një koment nga Sara, e cila sugjeroi se shpirtrat binjakë gjithmonë gjejnë rrugën për t’u ribashkuar.
Ky koment duket se nxiti Soni-n të bënte të ditur se kontakti mes tyre nuk ka munguar ndër vite. “Po, gjithmonë e kemi gjetur. Po herë ishte njëri, herë s’ishte… dhe ishte gjithmonë ajo frika…” tha këngëtarja, duke lënë të nënkuptohet një lidhje komplekse dhe e vazhdueshme.
Kjo nuk është hera e parë që Soni Malaj flet për Florin gjatë qëndrimit në fermë. Më herët, ajo ka folur për rëndësinë që ai ka pasur në jetën e saj, ka përjetuar një surprizë emocionuese me dronë, dhe ka deklaruar në mënyrë të papritur: “Nuk e di a jemi ndarë ndonjëherë”. Tani, me përshkrimin e historisë së tyre si diçka ende të hapur emocionalisht, Soni duket se po rihap kapitujt e një lidhjeje që ende nuk ka lënë gjurmë të plotë.


