Modelja dhe ish-mbretëresha e bukurisë së Venezuelës, Andrea del Val, ka shokuar opinionin publik pasi publikoi pamje tronditëse nga një dhomë hoteli në Kanë. Ajo pretendon se është viktimë e një sulmi fizik të kryer nga stilisti i njohur Giovanni Laguna, gjatë zhvillimit të Festivalit të Filmit në Kanë.
Në një video të cilën e ka shpërndarë në rrjetet sociale, Andrea del Val shihet me fytyrën e mbuluar me gjak, ndërsa dhoma e hotelit duket e dëmtuar dukshëm, duke aluduar për një konflikt të ashpër. Në pamjet e publikuara, ajo dëgjohet duke thënë në gjuhën spanjolle: “Shikoni çfarë më bëri Giovanni Laguna”.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, incidenti ka nxitur reagimin e mysafirëve të tjerë të hotelit, të cilët kanë njoftuar policinë pasi kanë dëgjuar britma dhe shenja të qarta të një përleshjeje fizike. Giovanni Laguna është shoqëruar më pas nga autoritetet franceze për t’iu nënshtruar marrjes në pyetje lidhur me ngjarjen. Deri më tani, nuk ka pasur konfirmim zyrtar nëse ndaj tij janë ngritur akuza.
Giovanni Laguna është një figurë e njohur në Amerikën Latine, duke punuar si stilist për personalitete publike dhe konkurente të spektakleve të bukurisë. Raportohet se Andrea del Val ka marrë trajtim mjekësor dhe gjendja e saj shëndetësore vlerësohet si jashtë rrezikut për jetën.


