Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar hapjen e aplikimeve për subvencionimin e punëtorëve të sektorit jo-publik. Ky program mbështetës i Qeverisë së Kosovës mundëson përfitimin financiar për punëtorët, me aplikim të mundshëm përmes platformës online të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Secili punëtor duhet të aplikojë individualisht, duke u siguruar që të gjitha të dhënat e dërguara të jenë të sakta. Aplikimet me gabime do të refuzohen. Një kusht i rëndësishëm është që llogaria bankare të jetë në emër të përfituesit.
Afati për aplikim është deri më 5 qershor 2026. Të drejtë aplikimi kanë punëtorët e sektorit privat, organizatave joqeveritare (OJQ), si dhe punëtorët në entitete publike që nuk paguhen nga lista e pagave buxhetore, duke përfshirë ndërmarrjet publike dhe Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).
Kryesorja, gjatë aplikimit kërkohet Numri Unik i Biznesit. Ky numër gjendet lehtësisht duke kontrolluar kontratën e punës, zakonisht në faqen e parë pranë emrit të biznesit/kompanisë. Alternativisht, mund ta gjeni duke kërkuar emrin e biznesit tuaj në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ku numri unik do të shfaqet.
Për të përfituar nga subvencionet, aplikantët duhet të kenë të ardhura mujore bruto deri në 1,000 euro dhe të jenë të deklaruar në ATK nga punëdhënësi përmes deklaratës së muajit prill, e cila duhet të jetë dorëzuar deri më 15 maj.


