Sport Club Gjilani ka marrë një vendim të shpejtë pas humbjes befasuese nga Vushtrria, duke i dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin Debatik Curri. Vendimi vjen vetëm një ditë pas humbjes 1-0 të Gjilanit përballë ekipit të Vushtrrisë, një rezultat që duket se ka shkaktuar ndarjen.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, klubi gjilanas njoftoi opinionin publik, tifozët dhe median për mbylljen e marrëdhënieve pune me Currin. Klubi shprehu mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë periudhës që ai drejtoi skuadrën, duke i uruar suksese në sfidat e ardhshme profesionale. SC Gjilani theksoi rëndësinë e ruajtjes së raporteve profesionale dhe të shëndetshme, duke e cilësuar kapitullin me Currin si një periudhë të mbyllur me respekt dhe mirënjohje të ndërsjellë.
Klubi gjithashtu premtoi se do të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm sa i përket strukturës së re të shtabit teknik, përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
Disfata ndaj Vushtrrisë, ekipit që deri më tani nuk kishte arritur asnjë fitore në Superligë dhe kishte pësuar 7 humbje në 7 ndeshje që nga promovimi në elitë këtë verë, duket të jetë arsyeja kryesore e shkarkimit. Fitorja e Vushtrrisë, e para nën drejtimin e trajnerit të ri Fitim Llapashtica, erdhi pikërisht në ndeshjen e parë pas ardhjes së tij, duke i dhënë fund serisë negative të ekipit.
