Sezoni i ri i spektaklit të njohur, “She’s on Top”, ka startuar me një surprizë të jashtëzakonshme që ka emocionuar tej mase publikun. Moderatorja e dashur, Sara Gjordeni, ka zgjedhur momentin më të përshtatshëm për të ndarë me të gjithë një lajm të veçantë nga jeta e saj private, duke konfirmuar pritjen e ëmbël të fëmijës së saj të dytë.
Gjatë episodit të parë të sezonit, pak para se të prezantonte zyrtarisht konkurrentet e reja në garë, Sara zbuloi se ajo dhe partneri i saj, këngëtari Bardhi, do të bëhen prindër për herë të dytë. Ky lajm i gëzueshëm u prit me duartrokitje dhe entuziazëm nga audienca dhe të pranishmit në studio, duke shënuar një tjetër kapitull të lumtur në historinë e tyre të dashurisë, e cila filloi pikërisht gjatë eksperiencës së tyre në shtëpinë e famshme të “Big Brother”.
Sezoni aktual i “She’s on Top” udhëhiqet nga Sara Gjordeni, ndërsa juria përbëhet nga emra të njohur si Françeska Rustem dhe Niko Komani. Episodi i parë gjithashtu u nderua me praninë e të ftuarve specialë, Brikena Selmani dhe Mateo Borri, të cilët shtuan më tej shkëlqimin e mbrëmjes.


