Kombëtarja e Republikës Demokratike të Kongos ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë fund pasigurive që kishin shoqëruar pjesëmarrjen e saj në Botërorin 2026 për shkak të shqetësimeve lidhur me virusin Ebola.
Përfaqësuesja afrikane, e njohur si “Leopardët”, u detyrua të respektonte një periudhë izolimi prej 21 ditësh përpara se autoritetet amerikane t’i jepnin dritën e gjelbër për hyrje në vend. Kjo situatë ndikoi edhe në fazën përgatitore të skuadrës për turneun më të madh futbollistik në botë.
Delegacioni kongolez mbërriti në Houston pas një udhëtimi nga Parisi, ndërsa procedurat e kontrollit kufitar dhe aeroportual u zhvilluan pa asnjë problem. Të gjithë futbollistët dhe anëtarët e stafit teknik kaluan me sukses verifikimet e nevojshme dhe u drejtuan më pas për në bazën e tyre stërvitore në Teksas.
Mbrojtësi Aaron Wan-Bissaka konfirmoi se i gjithë delegacioni është lejuar të hyjë në SHBA, duke theksuar se askujt nuk iu refuzua hyrja.
Futbollistët e Republikës Demokratike të Kongos u panë të veshur me kostume zyrtare dhe me simbolet e ekipit kombëtar, teksa largoheshin nga aeroporti për t’u vendosur në kampin bazë ku do të përgatiten për ndeshjet e Botërorit 2026.
Prishtina Post – lajme të shpejta dhe të sakta.


