Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar fuqishëm pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si një “padrejtësi historike dhe ndërkombëtare” për Kosovën dhe heronjtë e saj.
Lushtaku ka shprehur shqetësimin e thellë për vendimin e trupit gjykues, duke theksuar se ai paraqet një goditje të rëndë për moralin dhe politikën e vendit. Sipas tij, ky vendim duket të jetë ndikuar nga interesa të caktuara që synojnë të njollosin luftën dhe historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Dhe padrejtësia më e madhe është se këtë vendim e morët në emër të Popullit të Kosovës! Jo! Asnjëherë në emër të Popullit të Kosovës!”, ka deklaruar Lushtaku, duke shprehur indinjatën e tij për mënyrën se si është trajtuar çështja.
Ai ka theksuar bindjen se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes vendimeve gjyqësore, duke e konsideruar këtë si një tentativë për të manipuluar të kaluarën. Lushtaku e përmbylli reagimin e tij me një mesazh të fuqishëm: “Jo në emrin tim. Jo në emër të Popullit të Kosovës. Lavdi për Çlirimtarët!”
