Showbiz

Reagimi i fortë i Sadriut ndaj Konjufcës: Tallja me “frizere” zbulon mentalitetin “karateist”

Bashkëshorti i ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, ka reaguar fuqishëm ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili u shfaq në një video duke qeshur dhe duke përdorur fjalën “frizerkë”.

Konjufca, pas bujës së shkaktuar, deklaroi se nuk i ishte referuar Osmani, por një “pseudo-gazetari”. Megjithatë, ky sqarim nuk mjaftoi për Sadriun, i cili përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, mbrojti dinjitetin e bashkëshortes së tij dhe profesionistët.

“Kjo që zbuloi kjo ‘tallje’ është kjo: në botën tënde mizogjeniste, ti mund të hysh në një sallon të frizereve, të kërkosh votën e grave dhe, në të njëjtin hap e çast, profesionin e tyre ta përdorësh si armë kundër një gruaje tjetër. Kërkon mbështetjen e tyre, por nuk u jep respektin tënd. Ky nuk është qëndrim politik. Është interes i maskuar si përçmim”, shkroi Sadriu.

Ai shtoi se Konjufca kërkoi besimin e Kosovës, por pushteti në duart e dikujt që tall gratë që përfaqëson dhe nënçmon punën e njerëzve që pretendon se u shërben, nuk është lidership, por “paralajmërim”.

Sadriu theksoi se Vjosa Osmani është një grua me doktoraturë në Drejtësi, ligjëruese me renome ndërkombëtare, ish-Presidente e Kosovës, e vlerësuar lart nga personalitete botërore si Këshilltarja për Siguri Kombëtare e SHBA-së dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit.

“Ti përpiqesh ta përqeshësh edhe profesionin e frizeres që punon me nder e edhe punën e Presidentes që ka përfaqësuar vendin me nder. Por kjo flet më shumë për ty, e për mentalitetin ‘karateist’, sesa për Vjosën dhe frizeret”, vijoi ai.

Duke iu referuar përvojës së tij personale si mërgimtar, Sadriu tha se nuk turpërohet nga puna e tij e parë si picë-shpërndarës, pasi ajo i dha karakter, disiplinë dhe respekt për punën e ndershme. Ai shtoi se do ta zgjidhte atë punë çdo ditë para një karriere politike të ndërtuar mbi përqeshje.

“Kjo ‘tallje’ nuk ka të bëjë vetëm me Vjosën. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me frizeret. Ka të bëjë me çdo vajzë të re në Kosovë që e pa atë video dhe, në heshtje, uli kokën dhe ambicien e veta. Ka të bëjë me çdo grua që punon me duart e saj, mendjen e saj, shpirtin e saj…dhe që tani e di çfarë mendon vërtet një burrë në pushtet për të”, përfundoi Sadriu.

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *