Gjatë një bashkëbisedimi në Dublin të Irlandës, të organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), me temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, Rama foli për situatën politike në Serbi dhe raportet e saj me Bashkimin Evropian, transmeton lajmi.net.
Ai theksoi se Komisioni Evropian ka pasur probleme me administratën e mëparshme serbe, veçanërisht sa i përket sundimit të ligjit dhe përmbushjes së kritereve themelore për anëtarësim në BE.
“Është shumë herët për të thënë diçka me saktësi për atë që vjen më pas”, deklaroi Rama.
Duke komentuar zhvillimet e brendshme politike në Serbi, kryeministri shqiptar i cilësoi ato si një eksperiment social dhe politik, duke iu referuar të ashtuquajturës “Listë Studentore” dhe mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve që mund të jenë pjesë e parlamentit apo qeverisë.
Sipas Ramës, kjo është një qasje e re në shumë aspekte, por mbetet të shihet se çfarë rezultatesh do të prodhojë.
Ai u ndal edhe te marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se pa një qasje të hapur të Beogradit ndaj Kosovës dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve, është e vështirë të pritet përparim i qëndrueshëm në rajon.
“Për aq kohë sa nuk ka një qasje të hapur kundrejt Kosovës dhe normalizimit me të, kjo do të thotë që fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta përndjekë Beogradin dhe do të vazhdojë ta pengojë kombin serb që të kryejë një katarsis kaq të nevojshëm, që ende mungon”, u shpreh Rama.
Deklaratat e kryeministrit shqiptar vijnë në një kohë kur zhvillimet politike në Serbi dhe dialogu me Kosovën vazhdojnë të mbeten ndër çështjet kryesore për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Zbulohen dy lokale ku organizohej bixhoz i paligjshëm…
A pati përplasje mes Grudës dhe Ismailit brenda…
Të enjtën mbahet seanca e radhës e Kuvendit, ky është rendi i ditës
Ymeri i kundërpërgjigjet Kërçelit pas akuzave për vëllain…
