Kryeministri Edi Rama ka reaguar fuqishëm ndaj thirrjeve online për bojkotimin dhe kritikave drejtuar këngëtarit Ylli Limani, duke i cilësuar si dhunë online dhe një shprehje neveritëse të fenomenit që po shoqëron protestën në bulevard.
Rama theksoi se përditë e më shumë po shtohet dhuna verbale, presioni dhe kërcënimet ndaj atyre që nuk pajtohen me protestuesit. Ai përmendi si shembull thirrjet e protestuesve drejtuar qytetarëve si “Çohuni nga kafja”, duke nënvizuar se kjo nuk ka lidhje me protestat paqësore, të cilat ai i quajti si “paqen e flamingove”.
Kryeministri theksoi se protesta është një e drejtë demokratike që duhet respektuar gjithmonë, duke shtuar se shumica qeverisëse e Partisë Socialiste e respekton protestën si më demokratiken e kësaj periudhe.
“Nuk e njoh Ylli Limanin. Nuk e dëgjoj muzikën e tij. Por dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit; një formë degradimi e jetës publike në kanalet sociale tanimë e ngritur në një nivel të ri dhune në grup, që nuk duhet justifikuar, nuk duhet relativizuar dhe nuk duhet pranuar asesi me strukjen në qoshen e heshtjes, po duhet luftuar me forcën e fjalës,” shkroi Rama.
Ai shtoi se kjo histeri ndërkombëtare në rrjetet sociale, e cila nuk ka lidhje me natyrën e Shqipërisë, ushqehet nga kundërshtira ideologjike, ku kryesore është ajo ndaj Presidentit amerikan. Nga ana tjetër, sipas tij, po ngrihet një dallgë dhune verbale, presioni dhe kërcënime ndaj këdo që nuk rreshtohet me protestuesit.
Rama paralajmëroi se kjo formë e shfaqjes së lëvizjeve, duke u imponuar me presion pseudo-moral dhe duke shpallur tradhtar këdo që nuk pajtohet, ka qenë historikisht forma se si janë shfaqur lëvizje që më pas janë kthyer në shembëlltyra të intolerancës politike e sociale. Ai përmendi shembuj nga historia, si skuadrat e zeza të Musolinit, militantët nazistë në Gjermani dhe Agimi i Artë në Greqi, për të ilustruar se si format e intimidimit dhe frikësimit mund të çojnë në pasoja të rënda politike e shoqërore.


