Konflikti mes boksierëve shqiptarë Amarildo Bakaj dhe Drilonit ka marrë një zhvillim të ri, duke shtuar tensionin mes tyre. Pasi Driloni, në një intervistë për Prive, akuzoi Amarildon se e kishte kontaktuar me tone kërcënuese në rrjetet sociale dhe shprehu gatishmërinë për një përballje në ring, reagimi i Amarildos nuk vonoi.
Bakaj ka publikuar një video në Instagram ku Driloni shihet duke deklaruar se kishte rrahur shqiptarë në Gjermani. Kjo deklaratë ka nxitur Amarildon të sqarojë se nuk ishte ai iniciatori i konfliktit, por se reagimi i tij ishte një kundërpërgjigje ndaj fjalëve të Drilonit.
“Duke u munduar t’i gënjejë shqiptarët se Amarildo i ka kërkuar ndeshje, vetëm për të më nxjerrë keq mua para shqiptarëve. Unë në jetën time nuk do ta bëja një gjë të tillë,” shkroi Amarildo krahas videos.
Ai shtoi: “Unë as nuk e kam njohur, veçse ma dërguan shqiptarët videon ku po thoshte: ‘I kam rrahur të gjithë shqiptarët në Gjermani’. Dhe prapë nuk i pata kërkuar ndeshje, por e porosita që të flasë mirë. Por, siç po duket, duhet me të vërtetë t’ia plotësoj dëshirën. Mos më fajësoni në fund; vetë ia ka nisur dhe vetë po i hedh benzinë!”
Me këto komente, Amarildo sugjeron se një përballje në ring me Drilonin është e mundshme, duke theksuar se përgjegjësia për përshkallëzimin e situatës bie mbi Drilonin. Situata ka ngritur interesin e tifozëve dhe mediave, të cilët presin zhvillimet e ardhshme për të kuptuar nëse kjo përballje do të bëhet realitet.

