Aktori dhe këngëtari Bes Kallaku ka dhënë një lajm të rëndësishëm lidhur me gjendjen shëndetësore të mikut të tij, Erjon Vishkullit, i cili u dëmtua gjatë protestës së fundit në Tiranë. Pas ngjarjes tronditëse, Kallaku ka konfirmuar se Vishkulli është aktualisht në një gjendje më të mirë, megjithatë dëmtimi serioz në sy kërkon trajtim të specializuar jashtë Shqipërisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bes Kallaku ka shprehur falënderimet për mbështetjen e gjerë publike: “Sot në mëngjes pata mundësinë të flas me Erjonin! Lavdi Zotit është më mirë, por ka nevojë për një ndërhyrje më të specializuar jashtë shtetit. Presim që sot të niset! Ju falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe gatishmërinë që keni treguar. Zoti ju bekoftë!”

Erjon Vishkulli, 28 vjeç, u plagos në syrin e majtë gjatë protestës së datës 24 tetor, duke u raportuar se ishte goditur nga një plumb gome. Pas një operacioni emergjent në Spitalin e Traumës, gjendja e tij është stabilizuar, por nevojat për një trajtim të mëtejshëm jashtë vendit janë thelbësore për shërimin e plotë të shikimit.
Ndërkohë që ende nuk është konfirmuar destinacioni ekzakt i transferimit të tij, miqtë dhe mbështetësit shprehin shpresa për një rikuperim të shpejtë dhe të suksesshëm për aktorin e ri.

