Presidentja Vjosa Osmani bën thirrje për solidaritet dhe bashkim me rastin e Festës së Fitër Bajramit, duke vizituar edhe Bashkësinë Islame të Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë qytetarët myslimanë me rastin e Festës së Bajramit nëpërmjet një postimi në Facebook, duke theksuar vlerat e solidaritetit dhe harmonisë.
“Uroj që kjo festë të na afrojë e të na bashkojë, të rrisë solidaritetin, harmoninë dhe mbështetjen ndaj njëri-tjetrit.”
— Vjosa Osmani, Presidentja e Kosovës
Osmani ka nënvizuar se mirësia “nuk humbet kurrë, për sa kohë që ne zgjedhim ta mbajmë gjallë solidaritetin dhe shpresën”, duke bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë pranë atyre me më shumë nevojë.
E para e shtetit ka realizuar edhe vizitë zyrtare në Bashkësinë Islame të Kosovës, si shprehje e respektit institucional ndaj komunitetit mysliman dhe festës së tyre./PrishtinaPost
