Politikë

​Oda e Inxhinierëve pezullon punën

Nga · 5 min lexim
Shpërndaje: Facebook X WhatsApp Email

Vendimi ka hyrë në fuqi më 5 nëntor 2026 dhe përfshin mbylljen e zyrave të Odës deri në sigurimin e mjeteve të nevojshme për rifillimin e funksionimit të rregullt.

Sipas shkresës zyrtare të OIRK-së, me numër protokolli 639/26, të datës 5 nëntor 2026, drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Komisionit Ministror për Themelimin e Odave (KMTHO), vendimi është marrë unanimisht nga Bordi Drejtues më 3 nëntor.

Në dokumentin që ka siguruar KosovaPress, Oda sqaron se granti i paraparë për vitin 2026 ende nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe dokumentacionit të dorëzuar në ministri.

Sponsorizuar
Fluturim Prishtinë – Stuttgart Fluturim Prishtinë – München Fluturim Prishtinë – Göteborg
Prishtinë → Stuttgart
Fluturim direkt · nisje çdo ditë
nga 99€
Rezervo tani →
Sponsorizuar
A po të gjejnë klientët në Google? — Trik Agency Plan 90-ditor për rritjen e shitjeve — Trik Agency
Merr analizën falas →

**Inspektorati i Punës konstaton parregullsi për mospagesën e pagave**

Sipas shkresës, mungesa e financimit ka pamundësuar pagesën e pagave të administratës, kompensimin e kryetarit, si dhe mëditjet dhe kompensimet e Bordit Drejtues, komisioneve dhe grupeve punuese që nga korriku 2026.

Administrata e Odës kishte paralajmëruar grevë nga 1 tetori, por ajo ishte shtyrë gjatë atij muaji me mirëkuptimin e punonjësve, në pritje të realizimit të grantit. Meqenëse financimi nuk është siguruar, greva tashmë ka filluar.

OIRK bën të ditur se në këtë çështje ka ndërhyrë edhe Inspektorati i Punës.

Sipas dokumentit, përmes Raportit Zyrtar Nr. 1207-216/2026, të datës 3 nëntor, Inspektorati ka konstatuar parregullsi lidhur me mospagesën e pagave dhe ka kërkuar përmbushjen e detyrimeve brenda 3 ditësh nga pranimi i raportit.

Në të kundërtën, është paralajmëruar inicimi i procedurës kundërvajtëse në gjykatë.

**Rrezikohet ndërprerja e postës elektronike dhe prodhimit të licencave**

Gjendja financiare ka vënë në rrezik edhe funksionimin e shërbimeve elektronike të Odës.

Sipas OIRK-së, afati për pagesën vjetore të mirëmbajtjes ka kaluar më shumë se 2 muaj më parë dhe, pas disa vazhdimeve të përkohshme mujore, më 12 nëntor 2026 pritet të deaktivizohet posta elektronike zyrtare.

Po ashtu, kompania e kontraktuar ka paralajmëruar ndërprerjen e prodhimit të licencave profesionale për shkak të detyrimeve të papaguara të akumuluara për një periudhë të gjatë.

Oda ka edhe detyrime të papaguara për energji elektrike, ujësjellës, telekomunikim dhe shpenzime të tjera të nevojshme për funksionimin e saj.

Për shkak të mungesës së mjeteve, Bordi Drejtues ka anuluar edhe pjesëmarrjen e delegacionit të OIRK-së në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit Evropian të Odave të Inxhinierëve (ECEC), të planifikuar për 6 dhe 7 nëntor në Dubrovnik.

**Oda thotë se ka dorëzuar dokumentacionin, por financimi nuk është realizuar**

Në shkresën drejtuar ministrisë, OIRK ka paraqitur edhe kronologjinë e komunikimeve institucionale lidhur me sigurimin e financimit.

Sipas saj, planifikimi buxhetor për vitin 2026 është dorëzuar më 21 tetor 2025, ndërsa më 17 qershor 2026 është kërkuar procedimi i Memorandumit të Mirëkuptimit.

Pas kërkesës së ministrisë më 1 korrik, Oda ka dorëzuar draftin e memorandumit më 2 korrik.

Më 5 gusht, Komisioni Ministror për Themelimin e Odave ka kërkuar sërish planin e shpenzimeve për vitet 2026 dhe 2027, të cilin OIRK thotë se e ka dorëzuar të përditësuar më 10 gusht, së bashku me dokumentacionin financiar.

Përmes shkresave të 2 dhe 15 shtatorit, Oda kishte paralajmëruar ministrinë për gjendjen financiare dhe vështirësitë në përmbushjen e detyrimeve, duke kërkuar përshpejtimin e procesit.

Më 28 tetor, pas një takimi në ministri, OIRK thotë se ka dorëzuar po atë ditë versionin përfundimtar të Memorandumit të Mirëkuptimit, tabelat e përditësuara dhe sqarimet e kërkuara.

Megjithatë, sipas shkresës së 5 nëntorit, Oda ende nuk kishte pranuar njoftim zyrtar për finalizimin e procesit.

**Pezullimi prek shërbimet, por jo vlefshmërinë e licencave**

OIRK ka sqaruar se vendimi për pezullimin e përkohshëm nuk është masë proteste ndaj ministrisë, por pasojë e pamundësisë financiare për të vazhduar funksionimin e rregullt.

Sipas Odës, situata ndikon jo vetëm në administratën e saj, por edhe në ushtrimin e kompetencave publike, ofrimin e shërbimeve për inxhinierët e licencuar dhe funksionimin e sistemit të licencimit profesional në Kosovë.

Megjithatë, pezullimi i aktiviteteve administrative nuk ndikon në vlefshmërinë e licencave profesionale të lëshuara.

OIRK rikujton se, sipas neneve 41 dhe 42 të Ligjit Nr. 08/L-012 për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, gjatë periudhës së përkohshme të themelimit parashihet mbështetja financiare nga ministria në formë granti.

Ndërsa, sipas saj, të hyrat vetanake të mbledhura nga anëtarësia ruhen në mirëbesim në Thesar, në përputhje me dispozitat ligjore.

Oda ka kërkuar nga ministria dhe Komisioni Ministror për Themelimin e Odave finalizimin sa më të shpejtë të Memorandumit të Mirëkuptimit, realizimin e grantit për vitin 2026 dhe njoftimin zyrtar për afatin e pritshëm të financimit.

Aktivitetet dhe shërbimet administrative do të rifillojnë pas sigurimit të kushteve të nevojshme financiare.

Në shkresën zyrtare, Bordi Drejtues ka theksuar se mbetet i gatshëm për bashkëpunim institucional dhe për çdo sqarim shtesë që mund të ndihmojë në zgjidhjen e situatës.

Çfarë ndodhi pas vrasjes së Arlindës? – Shumë…

Vrasja e Arlinda Zekajt, Komisioni Hetimor Parlamentar pritet…

Këpucë dhe veshmbathje të markave luksoze në vlerë…

​Rama i qëndron ftesës për dialog, mëngjesin e nis para Kryeministrisë

Lexo gjithashtu

Shiko të gjitha →

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *