Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite, garoi si kandidati kryesor kundër kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu, duke udhëhequr një bllok partish që synojnë largimin e tij nga pushteti, transmeton lajmi.net.
As Eisenkot dhe as Netanyahu nuk arritën të sigurojnë shumicën e nevojshme parlamentare në zgjedhje. Megjithatë, gjatë konsultimeve maratonike me presidentin këtë javë, përfaqësuesit e shumicës së partive kryesore rekomanduan që pikërisht Eisenkotit t’i besohet detyra për krijimin e qeverisë së re.
Vendimi i Herzogut, i cili pritej të shpallej të dielën, u bë publik pak pasi Netanyahu bëri thirrje për krijimin e një “qeverie të unitetit kombëtar”.
Në një video-mesazh, Netanyahu paralajmëroi kundër formimit të nxituar të një qeverie me mbështetjen e partive që ai i cilësoi si të lidhura me mbështetës të terrorizmit. Deklarata e tij u interpretua si referencë ndaj partive të udhëhequra nga përfaqësuesit arabë.
Netanyahu dhe aleatët e tij kanë paraqitur vazhdimisht partitë arabe si kërcënim për sigurinë kombëtare. Ndërkaq, Eisenkot ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me to, me kusht që të plotësohen disa kritere, përfshirë njohjen e Hamasit si organizatë terroriste dhe angazhimin për shkatërrimin e tij.
Partia e Eisenkotit, Yashar, reagoi ndaj deklaratave të Netanyahut përmes një komunikate të publikuar në platformën X.
Në reagim, ajo u bëri thirrje anëtarëve të partisë Likud të Netanyahut që të distancohen nga aleanca me partitë që i cilësoi si radikale, duke iu referuar partive më ekstreme në bllokun e tij nacionalist-fetar.
Partia Yashar theksoi se në qeverinë e mundshme të Eisenkotit do të përfshihen vetëm parti dhe deputetë që mbështesin parimet e saj, përfshirë qëndrimin ndaj Hamasit.
Tashmë, Eisenkot përballet me detyrën e sigurimit të mbështetjes së mjaftueshme parlamentare për të formuar qeverinë e re, në një situatë ku asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk ka fituar shumicë të qartë.
Nisin punimet për fabrikën e municionit
Pas vrasjes së Arlindës, vetëm një dorëheqje në…
Franc Çopja në krye të një rrjeti gjigant…
Erdogan dhe Trump zhvillojnë bisedë telefonike, çka u diskutua?
