Një dokumentar i ri i Netflix-it hedh dritë mbi jetën dhe karrierën e jashtëzakonshme të José Mourinhos, duke sjellë në pah përvojat e tij nga fëmijëria në Setúbal deri në kulmin e suksesit botëror.
“Nuk bëhet një dokumentar për një trajner që nuk ka fituar asgjë. Unë kam lindur në futboll, e jetoj çdo ditë të jetës sime dhe pa të do të ndihesha i paplotë. Çfarë ndjesie është të fitosh? Për mua është normale, kam fituar gjithë jetën”, thotë Mourinho, duke reflektuar mbi pasionin e tij të thellë për sportin që e ka formuar.
Dokumentari eksploron rrugëtimin e tij, ku trofetë e shumta zënë vend të veçantë në shtëpinë e tij, duke përfshirë kujtime të çmuara si këpucët e Maradonës dhe fanella e parë e Cristiano Ronaldos.
Lidhur me epitetin “Special One”, Mourinho shprehet modest: “Nuk jam ndier kurrë i tillë”. Megjithatë, historia tregon ndryshe. Pas arritjes te Chelsea në vitin 2004, ai u përball me skepticizëm, por fitorja e Champions League me Porton i dha guximin të deklaronte: “E konsideroj veten një ‘Special One’”, një deklaratë që habiti edhe Sir Alex Ferguson.
Megjithatë, suksesi fillestar te Chelsea u pasua nga një prishje marrëdhëniesh me Roman Abramovich. “Nuk ishte më Chelsea ynë. U ndjeva i tradhtuar dhe doja hakmarrje”, kujton ai, duke përshkruar largimin e tij si një moment të dhimbshëm edhe për lojtarët, mes të cilëve John Terry, i cili e përshkroi Mourinhon si dikë me “një mënyrë magjike për të na fituar”.
Përvoja e tij e hershme te Barcelona me Bobby Robson ishte një periudhë studimi intensiv të futbollit, ku ai u njoh si “përkthyesi”, por që i hapi rrugën ëndrrës së tij.
Pikëmbërritja kryesore e karrierës së tij dhe momenti i “hakmarrjes” përshkruhet në periudhën te Interi. Pas arritjes në Milano në vitin 2008, presidenti Massimo Moratti e mori Mourinhon me çdo kusht, duke i ofruar mbështetje të plotë.
Në sezonin e tij të parë, Mourinho fitoi Superkupën dhe titullin kampion, por objektivi kryesor ishte Champions League. Pas largimit të Ibrahimovic, Mourinho i tha Moratti-t: “Nëse marrim pesë lojtarë, fitojmë Champions-in”, duke marrë mbështetje për transferimin e Samuel Eto’o dhe lojtarëve të tjerë.
Ndeshjet vendimtare në Champions League ilustrojnë sfidat e tij. Në çerekfinale kundër Chelsea, ai deklaroi: “Po luaja kundër Abramovich, jo kundër lojtarëve të Chelsea. Ishte një sfidë mes meje dhe atij. Doja hakmarrje”. Në gjysmëfinale, përballë Barcelonës në “Camp Nou”, me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të ndeshjes, Mourinho e quajti sfidën “një luftë për të mbijetuar”, duke udhëhequr Interin drejt finales.
Në finalen kundër Bayernit, Interi fitoi tripletën historike, por Mourinho tashmë kishte vendosur të largohej. “Tek Interi gjeta dashuri, respekt dhe një skuadër që ishte gati të më ndiqte kudo. Megjithatë, dëshira ime për Real Madridin ishte më e fortë”, shpjegon ai.
Pas triumfit, ai nuk u kthye me skuadrën në Milano, duke thënë: “Iu arratisa emocioneve të mia. Puna tek Interi kishte përfunduar”. Dokumentari ofron një pamje të thellë të njërit prej trajnerëve më të suksesshëm dhe më kontroversë të futbollit modern.


