Një moment i papritur dhe mjaft shqetësues ka ndodhur gjatë transmetimit të fundit të emisionit sportiv ‘Top Arena’, duke lënë audiencën dhe stafin në dilemë.
Moderatori Edi Manushi, pas përfundimit të një interviste, shfaqi publikisht shqetësimin për gjendjen e dukshme të lodhjes së Mateo Borrit. Duke iu drejtuar atij, Manushi tha: “O zotëri, jam i shqetësuar për shëndetin tënd, ti gjithë kohës qesh. Je mirë tani? Do vazhdosh apo do shkëputesh?”.
Mateo, me një përgjigje të shkurtër, tregoi se do të qëndronte deri në momentin e reklamave, por Manushi, duke vlerësuar situatën, mori vendimin për ta larguar nga emisioni për t’i dhënë mundësinë të pushojë.
“Do ta bëjmë që tani? Hajde Mateo, hajde një duartrokitje, e përcjellim Mateon. Faleminderit. Është pa qejf pavarësisht buzëqeshjes”, u shpreh moderatori, duke kërkuar mbështetje nga publiku.
Pas largimit të Borrit, Manushi u kërkoi ekipit në prapaskenë të kujdeseshin për shëndetin e tij dhe ta shoqëronin deri në shtëpi. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje specifike rreth problemit shëndetësor që çoi në largimin e tij nga studio, duke lënë të hapura pyetje dhe duke shtuar shqetësimin e fansave për gjendjen e tij.


