Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka mbështetur ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por ka ngritur shqetësime serioze lidhur me efektivitetin e tyre në proceset gjyqësore të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Arbërie Nagavci, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, ka deklaruar se partia e saj votoi ligjin duke u bazuar në rekomandimet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ishte propozuesja kryesore e këtyre ndryshimeve. Nagavci pranoi se pa votat e LVV-së, projektligji nuk do të kishte kaluar, por theksoi se kishte rezerva të forta sa i përket përmbajtjes dhe nxitimit me të cilin u miratua.
“Kemi shprehur hapur dyshimet tona, si në takime me PDK-në, ashtu edhe publikisht,” tha Nagavci. Ajo shtoi se PDK-ja kishte insistuar se projektligji ishte hartuar nga ekspertët e tyre dhe se ndryshimet do të ndihmonin në trajtimin e aktgjykimit të datës 16 shtator, i cili preku katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Ne vlerësuam besimin e PDK-së në këtë projektligj dhe e mbështetëm, por mbetemi skeptikë nëse ai do të sjellë rezultatet e dëshiruara për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së,” theksoi Nagavci, duke shtuar se “pavarësisht dëshirës sonë, dyshojmë se ligji do të sjellë rezultate të mëdha.”
Ndryshimet e propozuara nga PDK synojnë kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara, duke përfshirë kufizimin e dënimeve me burgim në 15 vjet dhe ngushtimin e juridiksionit të gjykatës për vepra penale. Megjithatë, miratimi i këtyre ndryshimeve në Kuvend nuk garanton automatikisht ndikimin e tyre në proceset gjyqësore në Hagë, veçanërisht duke marrë parasysh se mandati i Dhomave mbështetet në Kushtetutën e Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare.
Nagavci ngriti pikëpyetje mbi aftësinë e ligjit për të adresuar çështje të përcaktuara me Kushtetutë, ndërsa PDK mbron se ndryshimet janë në përputhje me ligjin suprem dhe detyrimet ndërkombëtare. Përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë kanë shprehur shqetësime lidhur me këto ndryshime, duke theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë gjyqësore dhe detyrimeve ndërkombëtare.
Nagavci gjithashtu lidhi miratimin e ligjit me nevojën për institucione stabile dhe adresimin e sfidave të ardhshme, duke shprehur shpresën për një strategji shtetërore për apelimin e aktgjykimeve kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
