Një ditë pas lansimit të EP-së së tij me pesë këngë, artisti i njohur Luiz Ejlli ka zgjedhur të shprehë qëndrimin e tij ndaj zhvillimeve sociale aktuale në vend, duke u drejtuar drejt artit si formë reagimi.
Në një njoftim të bërë publik përmes rrjeteve sociale, Ejlli ka zbuluar se do të publikojë së shpejti një këngë të re, e cila dedikohet protestave që po trondisin Tiranën. Ai ka ndarë edhe një fragment nga videoklipi i ri, ku shfaqet me një mesazh të fuqishëm, duke shpjeguar motivimin pas këtij projekti në një periudhë të tensionuar shoqërore.
“Secili proteston në mënyrën e vet, ju zgjodhët rrugën, unë zgjodha muzikën. Mendova se zëri im do të dëgjohej më mirë përmes një kënge sesa mes turmës,” ka deklaruar Ejlli, duke theksuar angazhimin dhe kohën e investuar në këtë krijim.
Artisti gjithashtu ka iu ka kthyer atyre që kanë shprehur dyshime: “Më vjen keq për ata që dyshuan dhe ma sollën kurrizin (nuk është hera e parë, jam mësuar),” duke treguar vendosmërinë e tij.
Ky veprim i Luiz Ejllit vjen në një kontekst ku gjithnjë e më shumë artistë po e përdorin artin si mjet proteste dhe ndërgjegjësimi. Si shembull, vetëm pak ditë më parë, reperi Taste 2 reagoi ndaj situatës në Zvërnec me një këngë të re, duke shprehur mbështetjen për qytetarët e angazhuar në protesta.

