Mbrëmjen e kaluar, xhirimet e spektaklit të humorit “Portokalli” sollën surpriza jo vetëm në skenë, por edhe në prapaskenë. Mes të ftuarve specialë, finalistja e “Big Brother VIP Kosova”, Elijona Binakaj, tërhoqi vëmendje. Megjithatë, ajo që po bën xhiron e rrjetit është një video virale nga ambientet e xhirimeve, ku shfaqen dy personazhe shumë të komentuar: fituesi i “Big Brother VIP 2”, Luiz Ejlli, dhe ish-finalisti i “Big Brother VIP Kosova”, Klodian Mihaj.
Prania e Luiz Ejllit në “Portokalli” nuk është e pazakontë, pasi ai shpeshherë ndodhet aty për të mbështetur bashkëshorten e tij, moderatoren Kiara Tito. Por, ky takim në prapaskenë ka zgjuar kuriozitetin e publikut, sidomos për shkak të udhëtimit të Klodit drejt Tiranës.
Mësohet se Klodian Mihaj ka udhëtuar enkas për të shoqëruar dhe mbështetur Elijonën Binakaj gjatë xhirimeve të saj në këtë spektakël. Ky gjest i Klodit vjen në një kohë kur çifti përflitet se ka nisur një lidhje romantike pas përfundimit të aventurës së tyre televizive. Mbështetja e tij për Elijonën në hapat e parë pas daljes nga shtëpia e famshme ka shtuar dyshimet e fansave se mes tyre ka më shumë se thjesht miqësi.


