Fituesi i Big Brother VIP Kosova 4, Londrim Mekaj, i ka dhënë fund dilemës së fansave rreth zgjedhjes së Dolce Gela për videoklipin e tij më të ri. Gjatë një eventi të organizuar nga reperja Tayna për të shënuar tetëvjetorin e karrierës së saj, Londrimi u përball me pyetjen që ka ngjallur mjaft diskutime në rrjetet sociale: “Pse Dolce dhe jo Elijona apo Aurora?”.
Artisti nuk nguroi t’u japë një përgjigje të qartë fansave kureshtarë. “Kur të del kënga e kuptoni pse. Qysh e keni ‘leak’ edhe ju Prive-ja, është videoklip sensual. Normal që personat tjerë nuk kanë mundur me qenë protagonist në videoklip”, u shpreh Londrimi, duke lënë të kuptohet se natyra e projektit ka diktuar zgjedhjen.
Deklarata e tij ka nxitur reagime të shumta online, duke shtuar spekulimet jo vetëm për videoklipin, por edhe për marrëdhëniet e tij me ish-banorët e tjerë të Big Brother VIP Kosova. Vëmendje të veçantë mori fakti që gjatë eventit, Londrimi dukej se mbante njëfarë distance nga Elijona Binakaj dhe Klodian Mihaj, një detaj që ka ushqyer më tej diskutimet mes fansave.
Megjithatë, Londrimi ka zgjedhur të mos komentojë më tej këto aludime, duke preferuar të përqendrohet te promovimi i projekteve të tij të reja muzikore. Tani mbetet të shihet nëse videoklipi i shumëpritur do të arrijë të justifikojë pritshmëritë e larta të publikut.


