Partia Demokratike e Kosovës më 22 tetor ka kërkuar që ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar pas miratimit të ndryshimeve të tij në një seancë me nguti në mesnatën e 6 dhe 7 tetorit ku krahas këtij ligji u zgjodh edhe presidentja e re.
Qëllimi, sipas kërkesës së dërguar te presidentja nga Grupi Parlamentar i PDK’së, ishte që ai të plotësohej dhe të forcohej juridikisht.
“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para”, thuhej në letrën dërguar Shiroka-Pulës.
Aty PDK e thekson se “ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”.
Më tej, PDK tregon pritshmëritë për afatin kohor se kur duhet të përmbyllet kjo procedurë.
“Presim që, ashtu siç e miratuam më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda 4 javësh, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ligj dhe që do të kontribuojnë në finalizimin e tij”.
Megjithëse gjashtë ditë kanë kaluar që kur Presidentja mori vendim, diskutimet në Kuvend nuk kanë nisur dhe as s’është lajmëruar ndonjë planifikim i mundshëm.
PDK ka ftuar ekspertët “që kanë shprehur gatishmëri” për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete.
Vendimin për kthim në Kuvend e kishte mirëpritur Bashkimi Europian, i cili fillimisht kishte reaguar me shqetësim kur ndryshimet e këtij ligji ishin miratuar nga Kuvendi i Kosovës më tetor. Pritjet e BE’së tash janë që ajo të konsultohet.
“Në frymën e letërkëmbimit mes përfaqësueses së lartë të BE-së dhe presidentes së Kosovës, përcakton modalitete të konsultimit me BE-në para ndryshimit të legjislacionit, presim që BE-ja të konsultohet nëse diskutimet rinisin në Kuvend”, tha një zëdhënës i BE-së.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës u bënë pas 21 ditësh protesta, ku u kundërshtua aktgjykimi dënues në shkallë të parë për krime lufte ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ndryshimet në ligj ndër të tjera parashohin ngushtim të juridikisionit të mandatit të Gjykatës, dënime deri në 15 vjet burgim, që shkalla e Supremes të zhvillohet në Kosovë dhe që të dënuarit të jenë subjekt i faljes presidenciale.
“Unë të tregoj gjithçka, ti mua jo” –…
Xhafer Tahiri: Prokuroria Speciale pushoi hetimet në dy…
EULEX dënon fuqishëm vrasjen e Arlind Zekajt: Femicidi…
Haxhiu në Shkup: Nuk presim ndryshime në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës
