Tre parti kryesore politike shqiptare nga Lugina e Preshevës – Partia për Veprim Demokratik (PVD), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Partia Demokratike (PD) – kanë bërë të ditur publikisht mbështetjen e tyre për kandidaturën e Faton Bislimit për President të Republikës së Kosovës. Në një deklaratë të përbashkët, këto parti e kanë përshkruar Bislimin si një figurë unifikuese dhe të pavarur, e cila, sipas tyre, është veçanërisht e përshtatshme për sfidat aktuale politike në Kosovë.
Deklarata thekson përgjegjësinë politike dhe kombëtare të përfaqësuesve të Luginës ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nevojën për forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe komunitetit shqiptar në rajon. “Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, duke u nisur nga përgjegjësia jonë politike dhe kombëtare ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nga nevoja për forcimin e lidhjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës, shprehim përkrahjen tonë për z. Faton Bislimi si kandidat për President të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Partitë nënvizojnë se përvoja e gjatë dhe angazhimi publik i Bislimit dëshmojnë aftësinë e tij për të punuar përtej dallimeve partiake, duke i vënë interesat shtetërore të Kosovës dhe marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara në radhë të parë. Një nga arsyet kryesore të kësaj mbështetjeje është angazhimi i tij i vazhdueshëm për çështjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Deklarata sqaron se për më shumë se dy dekada, Bislimi ka shfrytëzuar lidhjet e tij në Washington për të mbajtur çështjen e shqiptarëve të Luginës në vëmendjen e politikëbërësve amerikanë, duke përfshirë anëtarë të Kongresit dhe Senatit. Ky angazhim ka qenë dypalësh, duke nxitur bashkëpunimin dhe ndërmjetësimin e komunikimeve me përfaqësues të të dy partive kryesore në SHBA. Në mesin e personaliteteve të larta amerikane të përmendura janë senatorët Joni Ernst dhe Gary Peters, si dhe kongresistët Jim Himes, Jim McGovern dhe Keith Self.
PVD, PDSH dhe PD vlerësojnë se përvoja e Bislimit në organizimin e takimeve me zyrtarë amerikanë, informimin e tyre për situatën e shqiptarëve në Luginë dhe sigurimin e mbështetjes publike, do të ishte një aset i madh për Republikën e Kosovës nëse ai zgjidhet president. “Ne besojmë se kjo përvojë do t’i shërbente Republikës së Kosovës në mënyrë të veçantë nëse z. Bislimi do të zgjidhej President. Kosova ka nevojë për një President që mund të komunikojë me të gjitha forcat politike brenda vendit dhe me të dyja krahët e politikës amerikane jashtë vendit”, përfundon deklarata. Përfaqësuesit e Luginës e cilësojnë Bislimin si një kandidat serioz për një zgjidhje konsensuale, mbipartiake dhe unifikuese, në interes të Kosovës dhe shqiptarëve.

