Këngëtarja e njohur Leonora Jakupi ka shprehur një reagim të fortë dhe emocional në lidhje me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, që ka të bëjë me ish-krerët e UÇK-së. Ajo e ka quajtur këtë proces një ngjarje të rëndë për popullin shqiptar, duke theksuar se nuk do të tolerojë asnjë fyerje ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit.
Gjatë një interviste në emisionin “Canapé”, Leonora ka shprehur shqetësimin e saj për numrin e madh të dëshmitarëve shqiptarë që kanë dhënë dëshmi në procesin gjyqësor. Ajo e konsideron këtë një tradhti të rëndë, duke theksuar se është e papranueshme që shqiptarët të dëshmojnë kundër njëri-tjetrit.
“Thuajse 90% e dëshmitarëve në Hagë ishin shqiptarë dhe është shumë e rëndë. Por, si duket, ky popull paska pasur shumë spiunë. Është shumë e rëndë që një shqiptar të ketë dëshmitarë shqiptarët e tjerë,” shprehet ajo.
Leonora e ka bërë të qartë se çdo individ që do të flasë keq për ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, do të përballet me distancim të saj. Ajo ka theksuar se kjo nuk do të përjashtojë as anëtarët e familjes së saj.
“Kam vendosur që për çdo njeri që më çon mesazh apo thotë një fjalë të keqe për njerëzit që kanë dhënë më të shenjtën, unë distancohem publikisht nga ta, qofshin edhe pjesëtarë të familjes sime. Është vërtet shumë e rëndë,” deklaroi këngëtarja.
Ajo gjithashtu kritikoi komunitetin e artistëve, duke theksuar se shumë prej tyre nuk ishin të gatshëm të mobilizoheshin për këtë kauzë në vitet e kaluara, por tani po shfaqin reagime sipërfaqësore në rrjete sociale.
“Pikërisht për këtë kauzë i kam realizuar këngët para katër viteve dhe u kam kërkuar kolegëve të mi, u kam bërë thirrje që mos ta bëja vetë projektin, por të ishim disa artistë që përmes artit të çonim mesazhe e të ishim në përkrahje të çlirimtarëve. Shumë nga ta hezituan. Tani shoh që bëjnë statuse e qesin logot,” tha ajo.
“Është shumë patetike,” përfundoi ajo reagimin e saj, duke lënë të kuptohet se angazhimi për kauzën e lirisë duhet të jetë më i thellë dhe më i sinqertë.

