Këngëtarja e njohur botërore, Kylie Minogue, ka zbuluar detaje të reja rreth betejës së saj me kancerin, duke shpjeguar arsyet pas vendimit për ta mbajtur sekret diagnozën e dytë me këtë sëmundje. Në dokumentarin e ri të Netflix, titulluar “Kylie”, artistja australiane 57-vjeçare rrëfen përvojën e saj të vështirë.
Minogue kujton se pas diagnozës së parë me kancer gjiri në vitin 2005, ajo u ndje ‘e shkëputur nga trupi i saj’, pasi lajmi u bë publik në mediat ndërkombëtare. Megjithatë, kur sëmundja iu rikthye në vitin 2021, ajo vendosi për një qasje tjetër.
“Diagnoza ime e dytë me kancer ishte në fillim të vitit 2021. Këtë herë arrita ta mbaja për vete… jo si herën e parë,” shprehet Minogue në dokumentar. Ajo pranoi se frika nga ajo që e priste dhe ndjesia e dobësisë emocionale e bënë të mos ndihej e detyruar ta ndante me botën.
“Nuk ndihesha e detyruar t’ia tregoja botës dhe, sinqerisht, nuk mundesha në atë moment sepse isha thjesht një hije e vetes,” tha ajo. Këngëtarja zbuloi se ka pasur momente kur ka menduar ta bënte publike diagnozën, veçanërisht gjatë rikthimit të saj të suksesshëm në vitin 2023 me hitin “Padam Padam”, por në fund zgjodhi të heshtë.
“Në çdo intervistë mendoja: tani është momenti ta them, por sërish e mbaja për vete,” tregoi ajo. Minogue theksoi se muzika luajti një rol kyç në përballimin e kësaj periudhe, duke e forcuar pasionin e saj për të.
Kënga “Story” nga albumi “Tension” ishte mënyra e saj për të shprehur ndjenjat dhe përvojën e saj pa zbuluar drejtpërdrejt diagnozën. “Më duhej diçka që ta shënonte atë periudhë të jetës sime,” shpjegoi Minogue.
Dokumentari “Kylie” pritet të publikohet në Netflix më 20 maj, duke u ofruar fansave një vështrim më të thellë në jetën dhe karrierën e ikonës së muzikës.


