Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe gjatë seancës konstitutive të Kuvendit, duke e cilësuar atë si jokushtetuese dhe duke sugjeruar se mund të ketë qenë rezultat i ‘euforisë’ nga varrimi i Ratko Mlladiqit.
Kurti theksoi se me zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit, ka filluar procesi i konstituimit të legjislaturës së 11-të. Ai shtoi se për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi, nevojitet dakordim mes subjekteve politike për zgjedhjen e nënkryetarëve.
‘Së pari u zgjodh Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të legjislaturës së 11-të. Me këtë rast filloi konstituimi i Kuvendit. Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet t’i zgjedhim edhe nënkryetarët, për këtë nevojitet dakordim’, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se është në kontakt me liderët e partive politike, duke përfshirë kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me të cilët ka kërkuar takim për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e nënkryetarëve.
‘Unë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve, meqenëse nevojitet edhe mbështetja e mazhorancës’, u shpreh ai.
Kurti bëri thirrje për qasje pozitive dhe konstruktive për të mundësuar konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, si dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
Lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe, Kurti tha se ajo ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e dhënë nga deputeti. ‘Siç e tha kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ishte në shpërputhje me betimin që ai vetë e ka bërë’, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se ishte e çuditshme që përfaqësuesi i Listës Serbe nuk e lexoi saktësisht propozimin e dorëzuar me shkrim për Slavko Simiqin. ‘Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Propozimin që ka bërë e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë që e deklaroi ishte në shpërputhje flagrante’, tha Kurti.
Kurti përmendi mundësinë që deklarata të jetë lidhur me ‘euforinë nga varrimi i Ratko Mlladiqit, të komandantit dhe gjeneralit që masakroi boshnjakët në Srebrenicë, që u nderua nga shteti serb dhe Kisha Ortodokse Serbe’.
Ai rikujtoi se në Kuvend mund të votohet vetëm propozimi i dorëzuar zyrtarisht me shkrim dhe në përputhje me Kushtetutën.
Prioritet mbetet arritja e një dakordimi për nënkryetarët e Kuvendit, me shpresën se kjo do të arrihet sa më parë me bashkëpunimin e liderëve të partive kryesore.
