Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, vlerësoi lart vizitën e ministrit të Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, duke e cilësuar si dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe përkushtimit të përbashkët për një Evropë më të sigurt, të bashkuar dhe të fortë.
Në një konferencë të përbashkët për media, Konjufca theksoi se Franca ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. “I nderuar ministër Haddad, vizita juaj është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Francës, dy vende që ndajnë të njëjtin vizion për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të fortë. Franca, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe shtyllë e projektit për integrimin evropian të vendit tonë”, deklaroi Konjufca.
Ai informoi se gjatë vizitës janë nënshkruar katër marrëveshje të rëndësishme dhe një letër qëllimi, të cilat, sipas tij, e çojnë bashkëpunimin mes dy shteteve në një nivel të ri. “Së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, nënshkruam katër marrëveshje të rëndësishme, së bashku me letrën e qëllimit. Kjo tregon se Franca dhe Kosova, përmes këtyre marrëveshjeve, po e ngrisin në një dimension krejt të ri marrëdhënien e tyre bilaterale”, u shpreh ai.
Konjufca shtoi se në takim u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, çështjet e sigurisë dhe zhvillimet në rajon, ndërsa falënderoi Francën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, përfshirë ndihmën për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Lidhur me integrimin evropian, Konjufca theksoi përkushtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se besueshmëria e projektit evropian varet nga një zgjerim më i shpejtë, më i drejtë dhe i bazuar në meritë.
Në një kritikë të drejtuar ndaj Serbisë, Konjufca tha se retorikat që relativizojnë krimet e luftës nga viti 1990 janë jo vetëm provokim, por edhe të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit, paqes dhe demokracisë. “Ato nuk mund të kenë vend në Evropën demokratike”, theksoi ai.
Në fund, Konjufca rikonfirmoi gatishmërinë e Kosovës për t’i ndihmuar Francës në përballjen me zjarret, duke përmendur kapacitetet që disponon vendi.


