Sot, Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbajë një seancë dëgjimore thelbësore, e cila do të fokusohet në politikën amerikane dhe sfidat aktuale të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Seanca, e titulluar “Politika e SHBA-së dhe sfidat e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, do të fillojë në orën 10:00 me kohën lokale të Uashingtonit, që bie në orën 16:00 sipas orës së Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Kosova do të jetë në qendër të diskutimeve, por gjithashtu do të shqyrtohen në detaj situatat në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Dëshmitar para ligjvënësve amerikanë do të jetë Daniel J. Lawton, zëvendës-ndihmës sekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit. Seanca do të drejtohet nga kongresmeni republikan Keith Self, kryesues i Nënkomitetit për Evropën.
Një nga pikat kryesore të agjendës pritet të jetë politika e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Kongresmeni republikan Joe Wilson ka shprehur kritika të forta ndaj veprimeve të Vuçiqit, duke përmendur si shembull pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të Ratko Mlladiçit. Gjithashtu, në fokus do të jenë Republika Srpska dhe çështja e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut. Kongresmeni William Keating ka qenë ndër nënshkruesit e një letre drejtuar Departamentit të Shtetit, duke kërkuar rishikimin e vendimit për heqjen e sanksioneve kundër Dodikut dhe individëve të tjerë të afërt me qeverisjen e Republikës Srpska.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Senati amerikan po përgatitet për seanca dëgjimore më 16 dhe 17 shtator, ku do të shqyrtohen kandidatët për poste diplomatike, përfshirë emërimin e Ronald Johnson si ambasador i SHBA-së në Bosnjë-Hercegovinë. Seanca e Dhomës së Përfaqësuesve do të jetë e hapur për publikun dhe pritet të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Komitetit të Punëve të Jashtme.


