Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier i cili i dha një mesazh Kosovës, shkruan GazetaDemos.
“Gjyshi im ka pasur një thënie njëherë, dhe ju lutem më falni, nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën para klubit. Qëllimi im këtu është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim nga çdo qeveri e Kosovës të na japë argumentet më të mira në këto bisedime”, u shpreh ambasadori amerikan.
Haradinaj thotë se ambasadori Hovenier ka qenë i kyqur në temën e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë, e i njëjti shquhet për vlera të larta njerëzore dhe po ashtu ka një dashuri të madhë për Kosovën dhe popullin e saj.
“Shprehja e tij “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni” është shprehje shumë e pazakontë e tij. Kjo shprehje e pazakontë është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh”, përfundoi ai.