Qëndrimet e këtyre përfaqësive ndërkombëtare vijnë në kohën kur në Kuvendin e Kosovës është rikthyer në diskutim mundësia e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, transmeton lajmi.net.
Bashkimi Evropian ka qenë ndër të parët që ka shprehur kundërshtimet dhe shqetësimet për këtë iniciativë, duke vlerësuar se ndryshimet e propozuara mund të cenojnë obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe parimet themelore të sundimit të ligjit.
Në reagimin e saj, BE-ja ka veçuar si çështje shqetësuese pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive.
Po ashtu, është vënë në pikëpyetje edhe kushtetutshmëria e amendamenteve, ndërsa autoriteteve të Kosovës u është kërkuar që para çdo vendimi të zhvillojnë konsultime me partnerët përkatës ndërkombëtarë.
Britania paralajmëron për dëmtim të raporteve me aleatët
Edhe Ambasada Britanike në Prishtinë ka reaguar lidhur me këtë çështje, duke vlerësuar se ndryshimet e propozuara nuk do t’i shërbenin interesave thelbësore të Kosovës.
Për më tepër, sipas saj, një veprim i tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet e vendit me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.
Britania ka theksuar se, pavarësisht reagimeve të krijuara pas aktgjykimeve të fundit të Gjykatës Speciale, Kosova duhet të vazhdojë të respektojë zotimet ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.
Italia dhe Gjermania me qëndrime të ngjashme
Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Ambasada e Italisë, e cila ka shprehur shqetësim për mundësinë e votimit të ndryshimeve në ligj pa u zhvilluar paraprakisht konsultimet e nevojshme.
Diplomacia italiane ka theksuar se amendamentet ngrenë pikëpyetje lidhur me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, pavarësinë e gjyqësorit dhe mbrojtjen e viktimave e dëshmitarëve.
Ndërkaq, Ambasada Gjermane në Kosovë ka dalë në mbështetje të plotë të deklaratës së Bashkimit Evropian, duke u shprehur shkurt:
“Ne pajtohemi plotësisht me këtë deklaratë të BE-së”.
Kështu, katër përfaqësi të rëndësishme ndërkombëtare kanë bërë publike shqetësimet e tyre për iniciativën e ndryshimit të Ligjit për Specialen. Deri në publikimin e këtyre reagimeve, Ambasada Amerikane në Prishtinë nuk ka dhënë ndonjë qëndrim publik për këtë çështje.
Çitaku: Nuk presim që BE-ja ta duartrokasë iniciativën
Reagimet ndërkombëtare kanë ardhur pas deklaratave të ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka pranuar se kjo iniciativë mund të mos mirëpritet nga Bashkimi Evropian.
Në një intervistë, Çitaku ka shprehur gatishmëri për diskutime dhe konsultime me BE-në dhe palët e tjera të interesuara, duke thënë:
“Nuk pres që Bashkimi Evropian ta duartrokasë këtë iniciativë, por nëse vërtet ka vullnet të mirë, unë jam e bindur që do të gjejmë një gjuhë të përbashkët për të ecur përpara”.
Ajo ka bërë të ditur se PDK-ja synon që të hënën të nisë një procedurë të re për ndryshimin e ligjit, me synimin që amendamentet të rikthehen në Kuvend për votim brenda dy javësh.
Sipas Çitakut, qëllimi i kësaj nisme nuk është ndërhyrja në sistemin e drejtësisë, por korrigjimi i një procesi që ajo e konsideron të deformuar.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka votuar mocionin procedural për përfshirjen në rendin e ditës të çështjes së Ligjit për Dhomat e Specializuara. Votimi i mundshëm për ndryshimet është paralajmëruar për të premten.
Pavarësisht kësaj, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar që para ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm të zhvillohen konsultime me ta dhe të merren parasysh shqetësimet e ngritura.
Dhjetëra inspektime| IPK i kishte informuar që moti…
“M’ke thonë ‘ko me t’bo masazh’” – Nesër…
FFK me një prezantim madhështor, zyrtarizon ardhjen e…
Çfarë goli nga Ernest Muçi! Shqipëria kalon në…
