Pas përfundimit të edicionit të tretë të reality show-t “Ferma VIP”, aktori Indri Shiroka ka vendosur të ndajë me publikun detaje të pathëna nga përvoja e tij. Ai ka folur hapur për marrëdhënien e diskutueshme me Vanesën, akuzat për ndihmë nga miqtë e tij të afërt, Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj, si dhe për jetën e tij pas daljes nga formati.
Indri, i cili banon në Romë, zbuloi se vendimi për të marrë pjesë në këtë format nuk ishte aspak i lehtë. Si dikush që nuk ndiqte reality show-t dhe e shihte veten larg botës së tyre, ai u bind nga bisedat me produksionin për ta provuar si një sfidë personale. Pas daljes nga “Ferma VIP”, aktori kuptoi diferencën rrënjësore mes përjetimit brenda fermës dhe mënyrës sesi situatat perceptohen nga jashtë, duke e cilësuar përvojën si një “shok të madh”. “Kam arritur edhe të mendoj: ‘Çfarë paskam bërë, nuk e paskam kuptuar asgjë aty brenda’”, ka rrëfyer ai.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua marrëdhënies me Vanesën. Indri pranoi një pëlqim të ndërsjellë, por theksoi se izolimi dhe bashkëjetesa intensive brenda formatit ndikuan në zhvillimin e raportit të tyre. Ai u shpreh se jashtë fermës nuk do të kishte pasur një bashkëjetesë të tillë dhe nën atë presion, duke e përshkruar historinë e tyre si një përzierje mes spontanitetit dhe ndikimit të formatit. Ndërsa për pyetjen nëse Vanesa ishte tipi i tij, Indri u përgjigj sinqerisht: “Për shumë aspekte ishte tipi im dhe për shumë aspekte nuk ishte absolutisht tipi im.” Aktualisht, marrëdhënia mes tyre duket se ka marrë fund, pasi ai konfirmoi se nuk ka më kontakt me Vanesën.
Megjithëse aventura në “Ferma VIP” përfundoi me një histori të mbyllur, Indri nuk e konsideron veten të mbyllur ndaj dashurisë. Ai është i hapur për një lidhje të re, duke theksuar se vetmia mund të jetë e bukur, por pas një periudhe lodhjeje. “Unë jam i hapur për një lidhje, absolutisht, sepse vetmia ka shumë gjëra tepër të bukura, por pas një periudhe kohe të mërzit”, ka treguar ai. Megjithatë, për shkak të djalit të tij, të cilit dëshiron t’i jetë baba i pranishëm, ai nuk e mendon një marrëdhënie në distancë.
Lidhur me dyshimet për favorizim nga miqtë e tij Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj, Indri i mohoi kategorikisht. Ai theksoi se Arbana dhe opinionistët nuk e kanë kursyer gjatë spektaklit dhe se njohja e mëparshme me ta mund ta ketë penalizuar më tepër në perceptimin e publikut për shkak të dyshimeve për trajtim të veçantë.
Në lidhje me ish-konkurrentët, Indri përmendi Romir Zallën si më “në rol” gjatë gjithë kohës, duke e cilësuar si një aktor të shkëlqyer. Ai gjithashtu përmendi Mozën dhe Sarën si ato që kërkonin më shumë vëmendjen e kamerave. Ndërsa thashethemet për një afrim me Klevisën i mohoi, duke deklaruar se nuk ka ndjerë tërheqje fizike ndaj saj.
Pas daljes nga “Ferma VIP”, Indri ka përfituar një ekspozim më të madh publik dhe pranon se ka marrë më shumë mesazhe nga vajzat, megjithëse nuk e kupton plotësisht arsyen. Ai e vlerëson qëndrimin e tij në reality show si një sfidë personale të përfunduar me sukses, duke i dhënë vetes “notën 10” për mënyrën sesi e përballoi izolimin.

