Vetëm një ditë pas humbjes së regjistruar, të papritur, nga Kika në shtëpi, Trepça’89 ka ndarë rrugët me trajnerin e deritashëm të ekipit, Granit Dervisholli!
Prishtinasi Dervisholli sipas klubit mitrovicas ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij, ndërsa drejtuesit e kanë pranuar atë. Humbja e ’89-shit nga Kika ka qenë e papritur si duket, derisa ekipi ka mbetur gjashtë pikë larg lideres, Liria.
“KF Trepça’89 njofton se Granit Dervisholli ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetrajnerit të skuadrës.
Respektojmë vendimin e tij dhe e falënderojmë për punën, përkushtimin dhe angazhimin gjatë kësaj periudhe në krye të ekipit tonë.
Rrugëtimin e përbashkët e përmbyllim me respekt dhe mirënjohje për kontributin e dhënë në shërbim të klubit dhe objektivave tona.
Në emër të drejtuesve, futbollistëve dhe gjithë familjes së KF Trepça’89, Granitit i urojmë shëndet dhe suksese në vazhdim të karrierës së tij!” — shkroi KF Trepça’89 në njoftim.
TABELA AKTUALE E LIGES SE PARE
Pas 13 ndeshjesh Trepça’89 është e pesta në tabelë me 23 pikë, 6 më pak se Liria lidere dhe 5 më pak se Prishtina e Re në pozitë të dytë – pozita këto që sigurojnë Superligën për stinorin e ardhshëm. Në ditët në vijim, mbetet të shihet se cili do të jetë emri i ri që do të merr timonin e ’89-shit.
